Pusetat e hapura e asfalti i plasaritur – Si duken në terren projektet të cilat Komuna e Malishevës i quajti sukses?
Ekipi i KALLXO.com në Malishevë zgjodhi disa nga postimet të cilat ishin publikuar në faqen zyrtare të Komunës dhe nga profili i kryetarit, Ekrem Kastrati, e që thirreshin si projekte të përfunduara, përderisa në terren u vërtetua fakti se ndonëse u përuruan, projektet nuk janë si në fotografitë e publikuara.
Dhjetëra qytetarë pëlqyen postimin e Komunës së Malishevës në të cilin reklamoheshim punimet në trotuarin në fshatin Tërpezë.
Më 17.04.2022 Komuna njoftoi se në këtë fshat po ndërtohej trotuari i cili niste nga shkolla e vazhdonte në drejtim të fshatit.
Gjendja në terren dy vite pas shtrimit të trotuarit nuk është e mirë.
Ekipi i KALLXO.com ka gjetur puseta të hapura të cilat rrezikojnë këmbësorët. Gjithashtu në këtë trotuar disa nga kubëzat e betonit janë thyer.
Një reklamë tjetër për punët e kryetarit Ekrem Kastrati u publikua në gusht të vitit 2022. Aty kryetari promovonte asfaltin në lagjen Stapanica në Kijevë.
Dy vite më vonë gjendja në terren ka ndryshuar. Fotografitë e bukura janë zëvendësuar me asfalt të çarë, dhe asfalti në disa zona edhe ka “fjetur”.
Në shtator të vitit 2023 Komuna e emëroi si shkolla më e mirë e komunës shkollën në Panorc.
Në terren punimet janë kryer mirë dhe nuk janë hasur probleme mirëpo shkolla model nuk ofron qasje për personat me aftësi të kufizuar në katin e dytë.
www.kallxo.com