DUKAGJIN PUPOVCI

Pupovci: Në maj mund të përfundojë Ligji për Paga

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha në emisionin “Kallxo Përnime” se drafti i Projektligjit për Paga mund të përfundojë gjatë muajit maj.

“Unë mendoj që ky ligj do të kryhet gjatë majit, por na duhet ta shmangim një situatë që të shkojë përsëri në Kushtetuese dhe përsëri të anulohet sepse vetë përfaqësuesit e punëtorëve, jo SBASHK por dikush tjetër e çon në Kushtetuese. Prandaj, duhet ta arrijmë një balancë sa më të mirë”, tha Pupovci.

Por, sipas tij, deri në miratim të tij në Kuvend mund të kalojnë 6 muaj.

“Janë dy faza në legjislacion që është konsultimi paraprak dhe qarkullohet vetëm deri te Qeveria dhe ende s’kemi arritur deri te kjo fazë që zakonisht rrjedh nëpër media sepse janë 100 vetë, dikush ka me rrjedhë dhe pastaj vijnë vërejtjet e tjerëve dhe përmirësohen dhe pastaj del në konsultim publik. Për aprovim munden me shku edhe 6 muaj sepse në momentin që del në parlament aty veç fillojnë përfaqësimet e grupeve të interesit”, tha Pupovci më tej.

Mosmiratimi që një kohë të gjatë e Ligjit për Paga ka krijuar pakënaqësi të shumë sindikata.

Së fundmi SBASHK ka paralajmëruar për nesër grevë njëorëshe në arsim.