Pupovci: Kemi shpërndarë tekste shkollore aq sa kanë kërkuar DKA-të

Zëvëndësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka dhënë detaje për pajisjen me libra të nxënësve të shkollës së mesme të ulët si dhe për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Disa informata për procesin mësimor edhe këtë vit ka filluar me skenar ‘A.B.C’, mirëpo është shtuar edhe rikthimi në shkolla me prezencë dhe i kemi raportet e komunave. Nga 779 shkolla, janë 539 me skenar e rikthimit të plotë me të gjithë nxënësit që mbahet ora, dhe me prezenca e gjithë. Skenar ‘A’ 48% e shkollave, apo të ndara në grupe, vetëm 13 shkolla në Kosovë me skenar ‘B’ me kombinim”, ka thënë Pupovci.

Sipas Pupovcit, vonesa që të gjithë nxënësit të pajisen me libra ka ndodhur për shkak se Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë bërë kërkesat me numrin e saktë të nxënësve si dhe në kohën e duhur.

“Për tekste të reja është bërë kërkesa nga DKA dhe MASHTI ka kontaktuar me shtëpitë botuese dhe s’kemi asnjë ankesë nga asnjë DKA se ju kanë shkuar ndryshe se janë kërkuar, është në përputhje me Drejtoritë komunale të Arsimit. Janë paraqitur reagimet e prindërve dhe mësimdhënësve që shpërndarja e teksteve është bërë sipas kërkesave. Ne kemi gjetur se shpërndarja është bërë siç kanë kërkuar dhe kemi gjetur se DKA-të nuk kanë bërë kërkesë me aq sa kanë nevoje dhe shpërndarja e tyre është bërë nga personat jokompetentë”, ka thënë Pupovci më tej në konferencë ku tha se sipas ligjeve në fuqi, tekstet shkollore duhet të ripërdoren nga nxënësit.

Viti i ri shkollor këtë vit ka filluar me katër skenare. Skenari i Rikthimit që parasheh mësimi të zhvillohet fizikisht me prezencën e të gjithë nxënëseve në klasë, skenari ‘A’ që nënkupton me prezencë fizike, por me orar të shkurtuar dhe nxënësit të ndarë në grupe, skenari ‘B’ në formë të kombinuar fizikisht dhe online dhe skenari ‘C’ nënkupton që gjithë mësimi të zhvillohet online përmes platformave të ndryshme.