Prishtina

Puntorët humbësit e dyfishtë

Në krizën e COVID mijëra punëtorë në vend përpos se kanë humbur pagat në mungesë të kontratave të punës nuk do arrijnë të marrin edhe pagat e garantuara nga fondi qeveriar. Për 20 vite Kosova nuk ka arritur të krijoj standarde ku kompanitë ndërtojnë marrëdhënie kontraktuale me punëtorët duke mundësuar kështu respektimin e të drejtave elementare të punonjësve.

Vetëm muajin e fundit kushtëzimi që punëtorët të kenë kontrata për të përfituar nga benificionet e qeverisë zbuloj se të paktën 8 mijë punëtorë ishin pa kontrata pune. Pas vendimit të Ministrisë së Financave kompanitë regjistruan 8 mijë puntorë si të rregullt.

Të dhëna të tjera tregojnë se janë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privatë të cilët nuk kanë kontrata pune. Në raport me numrin e të punësuarve në sektorin publik që është mbi 80 mijë i bie afërsisht sa dy herë punëtorë që ka administrata

Në krizën e pandemisë, Ministria e Financave dhe Transfereve përgatiti pakon emergjente për tu dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve.

“Kjo masë përpiqet të mbulojë atë pjesë të familjeve që burim të vetëm të të ardhurave kanë punët e përkohshme ose angazhimet në punë kujdestarie apo mirëmbajtjeje nëpër familje private. Të gjithë këto familje mund të përfitojnë nga masa e 15 e pakos emergjente të qeverisë 130 euro për tre muajt në vijim, në rast se dokumentojnë që këto të ardhura janë burimi i vetëm i të hyrave të familjes”, citohet të ketë thënë Bislimi.

Gjithashtu ministri Bislimi kishte thënë se kjo pako parasheh edhe pagesën e pagës për punëtorët të cilët e kanë humbur vendin e punës në kohën e pandemisë “COVID-19”, në shumën prej 130 euro në supozimin i cili nuk ka krijuar në marrëdhënie të re të punës.

Bislimi kishte shkruar se si do të përfitojnë edhe punëtorët që nuk kanë kontrata të rregullta pune, apo nuk kanë fare kontrata.

“Ky lloj i angazhimit merr dy forma, ose punëtorët punojnë pa kontrata të vlefshme, por punëdhënësi i paguan rregullisht kontributet pensionale dhe obligimet tatimore; ose punëtorët angazhohen komplet në “të zezën””, ka shkruar Bislimi.

Sipas tij, punëtorët në rastin e parë që nuk kanë kontrata, por iu paguhen kontributet personale, për këtë fazë mjafton informacioni që punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale.

Kurse për ata që punojnë “në të zezën”, Qeveria iu ka mundësuar punëdhënësve që të fusin këta punëtorë në listën e tyre të pagave për muajin mars dhe t’u japin kontrata njëvjeçare.

“Pastaj me efekt të menjëhershëm, këta punëtorë bëhen pjesë e përfitimeve nga pakoja (pika 1.14 e pakos). Në rast se nuk ndodh kjo, qeveria inkurajon punëmarrësit që të raportojnë statusin e tyre në administratën tatimore të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e ministrit Bislimi.

Si ndihmë në luftën kundër pandemisë “COVID-19” Qeveria e Kosovës, ka kërkuar edhe ndihmën e diasporës përmes një fondi enkas për këtë qëllim. Deri më tani janë grumbulluar mjete afër gjysmë milioni euro.

Punëtoret u përdoren si ‘hamall’ nga Qeveritë

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, thotë se të drejtat e punëtorëve po shkelën dhe Qeveritë paraprake nuk i realizuan obligimet

“Ka mjaft probleme edhe në sektorin privat edhe në sektorët tjera, kështu që e drejta e punëtorëve është duke u shkel gjithkund. Sepse për momentin as kujt nuk i intereson për punëtor. Mund ta them lirisht sepse Qeveria që ishte, më herët, jo kjo që në shkuarje, obligimet ndaj punëtorëve asnjërën nuk i realizoi.”, tha ai.

Ai më tej merr për bazë pagën minimale, skemën pensionale të punëtorëve, nënshkrimin e marrëveshjes apo kontratës nacionale në nivel të vendit, por edhe tjetra si rregullimi i Ligjit mbi Pagat. Dhe thotë se deri më tash me asnjë Qeveri nuk janë të kënaqur, vetëm premtime pa realizim praktik.

Kreu i BSPK-së thotë se punëtorët u bënë hamall për Qeveritë

“I kanë ba hamall për vetveten Qeveritë, punëtorët .Punëtorët vetëm kur t’i duhen ata i përmendin. Asnjëherë nuk i përmendin në gjendje normale kur janë të stabilizuara. Për atë arsye po them , për momentin nuk jam i kënaqur si kryetar i konfederatës.”, tha Ajdini.

Kryetari Ajdini tregon se punëtorët punojnë me orar të stërzgjatur dhe nuk paguhen për orët shtesë.

“Edhe kjo është një diskriminim për shembull. Domethënë shumica e punëtorëve mund të kenë kontrata i stërzgjatet orari i punës i punëtorëve . Në vend se të punojnë 8 orë, punojnë 12 orë. Edhe ato katër orë nuk i paguhen fare. Ato shkojnë në gjep të punëdhënësit. Edhe këtu kemi një diskriminim të thellë këtu kanë mjaft punë inspektorati i punës po mendoj ligji ka mjaft pune.”, tregon ai.

Nga BSPK thuhet se punëtorët edhe nuk guxojnë me u anku. Më tepër shkelje të drejtave ka në sezonin verorë ku punëtorët punojnë pa kontrata.

Se shkelje të drejtave të punëtorëve pati edhe në kushte normale thotë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Privat mirëpo shteti nuk po i dëgjoi ankesat.

“Ne edhe në kushte normale kur kemi qenë, punëtorët kanë qenë me probleme me diskriminime sepse ka munguar kontrata e punës dhe ka munguar në pjesën më të madhe zbatimi i Ligjit dhe Marrëveshjes Kolektive. Për të gjitha këto që po themi ne, gjithherë kemi njoftua të gjitha instancat shtetërorë mirëpo megjithatë te ta sikur ka hasur në vesh të shurdhër, dhe ata fare nuk janë marrë me këtë çështje dhe gjendja e punëtorëve në sektorin privat po themi se edhe me rajon është gjendja më e keqe se në të gjitha vendet tjera.”, thotë Azemi.

Arsyet kryesore kanë qenë sepse mos ofrimi i kontratave të punës për pronarët e kompanive ka pas njëfarë lehtësimi buxhetor po themi sepse nuk i kanë lajmëru punëtorët në Administratën Tatimorë të Kosovës dhe paga e këtyre punëtorëve për pronarin e kompanisë shumë më e lehtë.

E dyta, sipas Azemit, ka pas sinjale, pozitive po themi për ta, në mes të pronarit dhe Qeveritarëve të Kosovës sepse mjetet të cilat janë dashtë me u derdh në Trustin Pensional të punëtorit ato janë derdh në gjepat e qeveritarëve në mënyrë individuale.

Ushtruesi i Detyrës i kryes inspektoratit Valon Leci, tregon se problemet kryesisht konsistojnë në të dy ligjet. Në Ligjin që rregullon Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, por edhe në Ligjin që Rregullon Marrëdhënien e Punës, me prioritet sigurisë dhe shëndetit në punë sepse konsiderojmë që jeta e njeriut apo dhe shëndetit të tij pastaj duke u marr me këtë aspektin e marrëdhënies së punës e cila rregullon çështjen kontraktuale bilaterale në mes të punëdhënësit dhe punëtorëve.

Kryeinspektori Leci thotë se ka përmirësim të situatës të aksidenteve në vendin e punës, në vitin që shkoi.

“Ajo çka dua të them që kemi një përmirësim të dukshëm në vitin 2019, fatkeqësisht kemi persona që kanë humb jetën në vendin e punës 11 mirëpo është një përmirësim i dukshëm i situatës sepse në vitin 2018 kemi pas 22 persona të cilët e kanë humb jetën në vend të punës, pra kemi marr një numër të madh të aktiviteteve e natyrisht përderisa ka pas aksidente të tilla të cilat kanë përfundu me fatalitet, qysh janë 11 raste, ka pas edhe shkelje të dispozitave të caktuara juridike por edhe  normave të përgjithshme themi të sigurisë dhe shëndetit në punë. Që nga përdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse, sigurimi i vendit të punës hapësirave punuese, vlerësimi i riskut në vendin e punës etj.”, tregon kryeinspektori i punës

Ndërsa problemet kryesore që lidhen me marrëdhënien e punës në sektorin privat janë kontratat e punës, ne kemi hasur rreth 1 mijë e 500 persona të cilët i kemi identifiku në vitin e kaluar të cilët kanë punu pa kontrata pune në një fushatë të cilën e kemi dediku ekskluzivisht për formalizim të marrëdhënies së punës por kemi edhe shkelje të tjera të cilat lidhen me orarin e punës apo me pagat shtesë, mbi pagën baza e kështu më radhë.

Sipas tij, në sektorin publik, shkeljet kryesisht lidhen me procedurat e konkursit, largimet nga puna por edhe me avancimet e brendshme.

Çdo  ditë deri rreth 300 kërkesa për kontrata pune

Kreu i punëtorëve të sektorit privat në Kosovë  bën të ditur se ka deri 300 raste në ditë ku punëtorët kërkojnë nda sindikata që punëdhënësit e tyre t’i fomalizojnë

“Pothuajse për çdo ditë ka më shumë se 200 deri 300 raste të cilat jemi duke i ftuar me kërkesën e punëtorëve, pronarët e kompanive që këta punëtor t’i legalizojnë dhe ne kemi thanë që për ata të cilët i legalizojnë punëtorët tani e tutje të mos jetë ndonjë ndëshkim dhe kompanitë të cilat i regjistrojnë tani punëtorë por sigurisht nëse do të ketë shtet, nëse do të ketë institucione si duhet të gjitha ata pronarë të kompanisë që nuk i regjistrojnë punëtorët tani në këtë rast duhet të ketë një dënim jashtëzakonisht tepër të madh. “, bën të ditur Azemi.

Por, megjithatë jemi skeptik duke u bazuar nga e kaluara respektimi i ligjit nuk është bërë ashtu si duhet për shkak të individëve prapë po mendojmë se nuk do të shkoj mirë.

Azemi shpjegon se punëtorëve që po punojnë paga po u ndalet duke u thirrur në kompensimin e Qeverisë.

“Merreni me mend, edhe ata punëtorë të cilët janë duke punuar tani për tani të cilën e kanë pas ndoshta 250 euro, u ndalet paga 250 euro dhe thotë se kompensohesh nga Qeveria e Kosovës me një pagë 170 euro. Sidomos këta punëtorë janë punëtor të pompave të naftës, ku kemi ofrim të kontratave, aneks kontratave kur me këtë në njëfarë forme donë me legalizu këtë çka ne po e themi.”, thotë ai

Tutje thotë se gjithherë numri i punëtorëve pa kontrata po flasim sidomos në piken e verës e arrin shifrën rreth 150 mijë, punëtor pa kontrata. Numri i punëtorëve në sektorin privat kalon shifrën mbi 400 mijë. Në tërësi. numri i punëtoreve me kontrata dhe pa kontrata.

Në anën tjetër kreu BSPK-së, Ajdini thotë se duhet të respektohet ligji dhe kontrata e punës

“Duhet ta respektojnë Ligjin, ta respektojnë kontratën, nuk guxon për shembull punëdhënësi me zvogëlu pagën dhe kështu duhet me pagu pagën e plotë.Pavarësisht situatën të cilën e kemi, ligji duhet të respektohet , unë jam për me u zbatu ligji.”, tha ai.

Kryeinspektori Leci vlerëson vendimi e Ministrisë për kompensimin e punëtorëve pa kontrata dhe thotë se inspektorati nuk i din se cilët janë ata punëtorë se përndryshe do të formalizoheshin më herët.

Fillimisht dua të them që unë si kryeinspektor i inspektoratit të punës e vlerësoj këtë vendim ministrisë përkatëse që e ka marrë vendim që edhe punëtorët që kanë punu pa kontrata të punës t’i ndihmojnë , megjithatë ne si inspektorat nuk e dimë cilët janë ata punëtor sepse po ta dinim cilët janë ata punëtorë kishim shku edhe i kishim formalizu qysh i kemi formalizu 1,500 apo 1,800 punëtor në vitin paraprak apo 476 më duket kanë qenë në vitin 2018…”, tregon në mes tjerash Leci.

Leci më tej thotë se përpos që i ndihmon punëtorët neve na ndihmon në identifikimin rasteve ku kanë punu pa kontrata të punës, ata tanimë vetë lajmërohen që janë pa kontrata pune nuk e lajnë veç inspektori me hetu, natyrisht kjo nuk është as e lehtë sepse donë resurse nga ana e shtetit dhe do të na ndihmojë në reduktimin e punësimit formal për të ardhmen sa për mënyrë e realizimit të kësaj pagese, mënyrën qysh këta punëtor regjistrohen inspektorati i punës nuk është kompetent.

Punëtorët e sektorit privat në dyjavëshin e para të pandemisë punuan pa mjete mbrojtëse

Lidhur me atë se a kanë qenë të pajisur me mjete mbrojtëse punëtorët në kohën e pandemisë, Azemi thotë se dyjavëshin e parë punëtorë kanë punu pa mjete mbrojtëe

“Jo që kemi të dhëna mirëpo s’di sa herë kam dalë dhe kam deklaruar sidomos në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Sidomos në fillim kanë qenë punëtorët që kanë punuar pa maska por kanë qenë edhe punëtorë të cilët me një maskë kanë punuar pothuajse gati për dy javë ditë. “, tregon krye sindikalisti.

Ai shton më tej se përndryshe dyjavëshi i parë për punëtorët e sektorit privat ata të cilët kanë punuar që kanë qenë më të rrezikuarit nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, ka shkuar dyjavëshi i parë kanë qenë të pa pajisur fare me pajisje adekuate.”, tregon ai.

Ai tregon veprimet të cilat i kanë marrë si sindikatë lidhur me këtë çështje, mirëpo fajin për mos pajisje me mjete mbrojtëse për punëtorët hudhet herë te pronari i kompanisë herë tek QKMF-ja.

“Ne kemi tërhjek vërejte, kemi shku nëpër QKMF kemi thirr stafin udhëheqës, kemi argumentu se ne jemi sindikatë dhe kemi ardhë për këta, të cilët thonë se topin e gjujnë herë te pronari i kompanisë duhet me i ba pajisjet herë te Qendra e Mjekësisë Familjare.  Në kushte normale, pa një kontratë pune ka mund të shpëtoj të mos vdes, në kohën e  pandemisë, punëtorët të 2 euro apo 2 euro pajisje të cilat nuk i ka pas punëtori ka mund t’i rrezikohet shëndeti ndoshta ka të atillë që janë infektu.”, thotë Azemi.

Ai njofton se ka punëtore në markete në Vushtrri, dy punëtore veç janë infektuar për shkak qasjes në punë dhe marrjes së virusit nga njerëz të tjerë.

Kryeinspektori Valon Leci sqaron saktë se pajisjet mbrojtëse është i obliguar punëdhënësi t’i ofroj.

“Ligji për Siguri dhe Shëndet në punë e përcakton saktë dhe strikt që punëdhënësi është i obliguar të ofroj pajisje personale mbrojtëse për të punësuarit .”, tha Leci.

Sipas tij, në të gjitha rastet punëdhënësi është i obliguar me ofru pajisje personale mbrojtëse dhe me u kujdes për sigurinë dhe shëndetin në punë.

 

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.