Një punonjës shëndetësor kryen një test të shpejt për koronavirusin. Gjermani, mars, 2020.

Punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dalin negativë në testin për COVID-19

Sot, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë testuar disa zyrtarë. Por, siç ka njoftuar MPJD-ja, të gjithë ata kanë rezultuar negativë në testin për COVID-19.

Sipas komunikatës për media, testimet janë bërë pasi një punonjëse e Ministrisë kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), një numër i stafit të Ministrisë dhe Kabinetit, janë testuar për COVID-19 nga ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK)”, thuhet në njoftim.

“Testimet janë bërë për shkak se një punonjëse e MPJD-së, ditë më parë u konfirmua me këtë virus, të marrë nga një familjar i saj.  Për fat të mirë, të gjitha testimet e sotme kanë rezultuar negative.  Në të njëjtën kohë, që nga momentet e para të dyshimeve e deri më sot me rezultatet negative, MPJD ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme parandaluese, sipas udhëzimeve nga institucionet tona. Këto masa do të vazhdojnë të aplikohen deri në tejkalimin e situatës. Për këtë motiv, për ta mbrojtur shëndetin publik, sot dhe nesër të gjitha takimet fizike të parapara i kemi anuluar”, thuhet tutje në njoftim.

Siç ka njoftuar Ministria e udhëhequr nga Meliza Haradinaj- Stublla, nga e mërkura do vazhdojnë me takime virtuale deri në relaksimin e masave.

Në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 129 raste të reja me COVID-19.