Foto: VOA

Punonjësit e arsimit nuk zmbrapsen nga greva

“Do të hamë bukë e djathë, por asnjë presion nuk do të na lëkundë nga qëndrimi për të vazhduar grevën deri në përmbushjen e kërkesave tona të drejta për rritjen e pagave”, thotë Sukti Ismaili, mësues nga Tetova.

Kështu ai komenton njoftimin e Qeverisë maqedonase se punonjësit e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm, nuk do të marrin paga për aq ditë sa do të jenë në grevë të përgjithshme.

“Nëse kanë mbetur për një rrogë të mësuesit, le t’i ndalin edhe tri rroga. Nuk do të ha kushedi çfarë ushqimi. Do ha bukë e djathë, pasi unë dhe gjithë mësuesit e tjerë shpirtin e kemi të fortë. Zemrën e kemi të mirë, le t’i ndalin një ose dy rroga, pasi ky është vetëm se një kërcënim. Edhe kontributet mos t’i paguajnë, por nëse mendojnë se në këtë mënyrë për të shtuar demotivimin e mësimdhënësve, bëjnë gabim të madh është diçka që nuk mund ta luhatin”, thotë Sukti Ismaili.

Greva ka hyrë në javën e dytë pasi Sindikata e Arsimit refuzoi një ofertë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për rritje të pagave prej 10 për qind. Sindikata kërkon rritje fillimisht prej 18.4 për qind dhe zbatimin në faza të Marrëveshjes Kolektive, që u garanton atyre paga dyfish më të larta.

Qeveria maqedonase përmes një komunikata bëri të ditur se “mësimdhënësve dhe edukatorëve në kopshte, do t’iu paguhen vetëm kontributet apo sigurimi shëndetësor dhe stazhi i punës, por jo edhe pagat”.

Kjo, sipas Qeverisë, është paraparë me Ligjin për marrëdhëniet e punës dhe Kontratën Kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe për të punësuarit në kopsht. Nga Qeveria thonë se pagat duhet t’i paguajë organizatori i grevës.

Por, kryetari i Sindikatës, Jakim Nedelkov, thotë se bëhet fjalë për kërcënim dhe frikësim të grevistëve për të hequr dorë nga greva. Ai thotë se e drejta e grevës është e garantuar me Kushtetutë sikur edhe pagesa e rrogave, kur protestohet për shkeljen e të drejtave të tyre.

“Së pari, të gjithë kolegët që po bëjnë grevë shkojnë në vendet e tyre të punojnë, por nuk bëjnë aktivitete, ashtu siç parashihet me Ligjin për grevë. Së dyti, ata kanë hyrë në grevë pasi u janë shkelur të drejtat në bazë të Ligjit për pagën minimale. Së treti, ata nuk mund të dënohet vetëm për faktin se kërkojnë zbatimin e Marrëveshjes Kolektive, pra kjo marrëveshje nuk po zbatohet nga ana e Qeverisë. Ligji për arsimin fillor dhe të mesëm qartë e përcakton të drejtën e grevës në rast se protestohet për shkeljen të drejtave të tyre, andej edhe pagat nuk duhet të shkurtohen. Ka edhe shumë fakte tjera që njoftimi i Qeverisë nuk mban dhe se në këtë rast bëhet fjalë për kërcënim dhe asgjë tjetër”, thotë Nedelkov.

Sutki Ismaili, mësimdhënës, ndërkohë ka hedhur poshtë pohimet e zyrtarëve të Qeverisë se arsimi nuk është në nivelin e duhur dhe se mësimdhënësit duhet të angazhohen më shumë që të marrin paga më të larta.

“Këta që janë sot në pushtet flisnin ndryshe në periudhën kur ishin në opozitë. Mësimdhënësit janë më së paku fajtorë për gjendjen e arsimit në këtë shtet sepse ne jemi vetëm se zbatues, jemi persona të cilët zbatojmë vendimet dhe reformat e ndryshme që i miratojnë këta pushtetarë”, thotë Ismaili.

Greva në arsim ka shkaktuar edhe përplasje mes partive politike. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njëherësh kryetar i Lidhjes Social Demokrate, ka thënë se “me refuzimin e ofertës për rritjen e pagave për 10 për qind, sindikata vendosi të vazhdojë me shantazhet që janë vetëm në dëm të shkollimit të nxënësve dhe komplikojnë jetën e përditshme të prindërve”.

Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë, përmes një komunikate ka thënë se “refuzimi për rritje prej 2,500 denarë [40 euro] ose 10 për qind të pagave si dhe metodologjisë për rritje graduale dhe zgjidhje të përhershme të statusit social të kuadrove arsimorë është agjendë politike kundër nxënësve dhe prindërve”.

Ndërkohë, partitë opozitare, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët, dolën në mbështetje të grevës, ndërsa qëndrimin e Qeverisë e vlerësuan si “presion ndaj mësimdhënësve për të hequr dorë nga e drejta kushtetuese për grevë, rritje pagash dhe kushte më të mira për punë”.

Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin fillor janë të punësuar rreth 20,000 mësimdhënës, ndërsa rreth 8,000 janë në arsimin e mesëm dhe mbi 5,000 në kopshte.

Paga mesatare e arsimtarëve në sistemin parashkollor dhe fillor sillet në rreth 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro)./REL