Foto: KALLXO.com

Punonjësi i Policisë në Gjilan dyshohet se i dërgoi kokainë e armë një grupi të dyshuar për vjedhje

Një punonjës i Policisë, pjesë e stafit civil, me inicialet A.H., është arrestuar mbrëmë në Gjilan.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se përveç punonjësit të Policisë është arrestuar edhe një qytetar. Ky i fundit është djali i zyrtarit të Policisë.

Siç mëson KALLXO.com nga burime brenda Policisë në Gjilan, arrestimi i punonjësit të Policisë lidhet me një rast tjetër që është zhvilluar në të njëjtin qytet.

Në Gjilan janë arrestuar dje tre persona për vjedhje të ndryshme.

Tutje siç mëson KALLXO.com, punonjësi i Policisë dyshohet se i ka dërguar armë dhe drogë tre të arrestuarve për vjedhje.

Në njoftimin e IPK-së sot thuhet edhe se hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët pas pranimit të disa informacioneve përmes rrugëve operative – hetimore me dyshimin së në këtë rast ishte i përfshirë edhe një punonjës i Policisë, respektivisht një zyrtar i stafit civil i punësuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.

Hetuesit e IPK-së në këtë rast kanë aplikuar metoda dhe teknika të hetimit  në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur 0.6 gram substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme e pakove të cigareve me të cilat dyshohet se është bërë pagesa e substancës së dyshuar narkotike.