Foto: Ilustrim

Punonjësi i arrestuar i Policisë dyshohet se rrahu ish të dashurën

Një punonjës i stafit civil të Policisë së Kosovës u arrestua nën dyshimin se ka rrahur ish të dashurën e tij.

KALLXO.com mëson se punëtori i Policisë i kishte shkaktuar lëndime trupore ish të dashurës ndërsa e njëjta ishte ankuar në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Kështu thuhet në njoftimin e IPK-së, deri sa shtojnë se ankesa ishte pranuar përmes “Linjës së Kaltër”.

“Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes dhe pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe të dyshuarit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Lidhur me rastin janë njoftuar edhe eprorët e të arrestuarit për procedim të mëtutjeshëm në aspektin disiplinor.

Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Inspektorati Policor arreston një punonjës të Policisë