Foto: REL/Reuters

Punonjëses iraniano-britanike i skadon dënimi, por përballet me gjyq të ri

Punonjëses humanitare britaniko-iraniane Nazanin Zaghari-Ratcliffe të dielën i është hequr etiketa në kyçin e këmbës, pas skadimit të dënimit të saj pesëvjeçar me burg në Iran, ndonëse ende nuk dihet nëse ajo mund të dalë nga ky shtet.

Agjencia iraniane e lajmeve, ISNA, ka thënë se Zaghari-Ratcliffe është thirrur në gjykatë sërish më 13 mars, duke shuar shpresat për lirimin e saj të menjëhershëm në shtëpi.

Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab, ka thënë në një deklaratë se Zaghari-Ratcliffe duhet të lirohet menjëherë, ashtu që të mund të kthehet në shtëpinë e saj në Britani.

Zaghari-Ratcliffe, 42-vjeçare, menaxhere projektesh në Thomson Reuters Foundation, është ndaluar në Teheran pas një vizite në familje më 2016, dhe është dënuar me pjesë vjet burgim për komplot që supozohej se kishte të bënte me rrëzim të Qeverisë iraniane.

Familja e saj dhe institucioni ku ka punuar kanë mohuar akuzat, derisa organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International i ka cilësuar këto procedura gjyqi si “shumë të padrejta”.

Britania ka kërkuar lirimin e Zaghari-Ratcliffe dhe të personave tjerë që kanë shtetësi të dyfishtë, të cilët janë të burgosur në Iran.

Teherani nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë.

Në nëntor të vitit të kaluar Zaghari-Ratcliffe, është njoftuar për një padi të re lidhur me “përhapje të propagandës kundër regjimit”.

Ajo është liruar përkohësisht nga burgu Evin dhe ka qenë nën arrest shtëpiak nga marsi i vitit 2020, për shkak të pandemisë së koronavirusit./REL