Punimet ua bllokuan rrugën, banorët e ‘Veternikut’ kërkojnë intervenim nga Komuna e Prishtinës - VIDEO
Shembja e dheut dhe dëmtimi i rrugës “Afërdita Ukshini” në lagjen “Veternik” të Prishtinës ishte arsyeja që përfaqësuesit e kësaj lagje u pritën në Komunën e Prishtinës.
Nga komuna u kanë premtuar se do të marrin masa.
Banorët pretendojnë se kanë kërkuar ndihmë nga Komuna e Prishtinës disa herë, por ende asnjë hap nuk është ndërmarrë.
Banori Adem Selimi tha se komuna iu ka premtuar se do të marrin masa për sanimin e dëmtimeve.
“Thanë se do të marrim masa kurgjo tjetër do të marrim masa. Ajo do të marrim masa sot e nesër, sot e nesër gjithmonë po shkojnë senet kështu duke u përsëritë, kërkush s’po merr masa kërkush s’pe rregullon me sanu problemin që e kanë shkaktu në rrugë edhe na jemi mbet në mëshirën e Zotit” – tha Selimi.
Një banor tjetër i kësaj lagjeje, Gunur Bajnovci pretendon se pavarësisht urdhërit të Inspektoriatit të Komunës së Prishtinës për ndërprerjen e punimeve në atë rrugë, punimet po vazhdojnë.
“Kjo është gjendja e rrugës që një jo po shkon ma shumë se një javë. Qysh pe shihni edhe ju jemi dëshmitarë të gjithë se punimet nuk janë ndalu pra është duke kryer punët e veta dhe rruga po qëndron prapë në këtë gjendje” – tha Bajçinovci.
Ai shtoi se sanimi i dëmtimeve në këtë rrugë është “urgjencë” për ta pasi që nga gjendja e rrugës, as fëmijet nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në shkollë.
Bajçinovci tha se kanë marrë një përgjigje zyrtare nga drejtori i Inspektoriatit në Prishtinë, Florian Dushi mirëpo thotë që ajo përgjigje është për rrugën “Shkupi” e jo për rrugën “Afërdita Ukshini” ku ai jeton.
“Zyrtare e kena pas një e-mail që na ka kthy pas një jave d.m.th që kena ba kërkesë na ka kthy kryetari i Inspektoriatit, Florian Dushi na ka kthy me e-mail edhe ka thanë që këta e kanë marrë ni gjobë po në atë email në atë dokumentin që na ka qu drejtori i inspektoriatit nuk figuron rruga ‘Holger Peterson’ po figuron nalt që kanë dëmtime nalt në rrugën ‘Shkupi’, për këtë rrugë hala kerkush nuk ka marr dënime na që e dina si banor për neve qekjo është urgjencë” – u shpreh Bajçinovci
KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë e kontraktuar nga komuna për ndërtimin e kompleksit banesor në rrugën “Afërdita Ukshini”, “Erea Home”. Ata thonë se janë duke u marrë me sanimin e dëmtimeve të asaj rruge.
“Ne jemi tu marrë me sanimin e dëmtimeve. Na jemi tu u marrë me atë punë, me e sanu, problem është se tash ka ndodh, ajo është blloku rruga, u ndërpre rruga. Banorët në atë vend nuk janë të bllokuar, rruga nuk është e qasshme, por banorët kanë qasje edhe nalt. Na jemi duke i marrë masat për me evitu problemin dhe deri në fund të javës rregullohet çështja e rrugës” – thuhet në përgjigje.
Drejtori i Inspekcionit, Florian Dushi me 02.09.2024, për KALLXO.com tha se kanë urdhëruar kompaninë “Erea Home” për ndalimin e punimeve dhe sanimin e dëmtimeve.
“Na kemi ndalu punë ndërtimore që lidhen me objektin, ndërsa e kemi urdhëruar me punu vetëm sa i përket sanimit të gjendjes. E kemi urdhëruar me punu për sanimin e gjendjes, po jo punë ndërtimore. Shkojmë e verifikojmë edhe e shohim a qëndron kjo që po thonë banorët”- tha ai.
KALLXO.com më 07.08.2024 ka raportuar për shembjen e dheut në rrugën “Afërdita Ukshini” në lagjen “Veternik” të Prishtinës ku banorët kanë mbetur të “bllokuar” për shkak të dëmtimit të rrugës nga kompania “Erea Home” sh.p.k për ndërtimin e një objekti banesor.
Komuna e Prishtinës me 29.08.2024 ka njoftuar se menjëherë pas pranimit të informacionit për rrëshqitjen e dheut dhe dëmtimin e rrugës, kanë marrë vendim që kompania “Erea Home” të ndërpres të gjitha punimet ndërtimore si dhe të bëjë sanimin e dëmtimeve në atë rrugë.
Ata kanë nxjerrë edhe një urdhëresë në të cilën thuhet që Drejtoria e Urbanizmit të bëjë një ndryshim/plotësim të projektit të sigurimit të gropës ndërtimore.