Punimet në rrugën të Pallati i Drejtësisë, bllokimi i rrugës vazhdon deri në dhjetor

Punimet për ndërtimin e rrugës “Nekibe Kelmendi”, që kanë filluar në shtator të këtij viti ende janë në proces.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, kishte paralajmëruar fillimisht bllokimin e qarkullimit në këtë rrugë për një muaj, si rezultat i punimeve.

Mirëpo në një përgjigje për KALLXO.com, drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit te Kontratave, Krenar Xhaferi, deklaroi se bllokimi i rrugës është vazhduar deri në dhjetor të këtij viti.

Sipas Xhaferit, vazhdimi i bllokimit është bërë për shkak të komunikacionit që ndikonte në planin dinamik të punimeve.

“Punimet në këtë kontratë kanë filluar me datë 12.09.2022. Plani dinamik i punimeve është 120 ditë, që domethënë jemi brenda planit dinamik. Rruga parimisht është bllokuar për një muaj , por për shkak të komunikacionit që ndikonte në planin dinamik të punimeve , bllokimi I rrugës është vazhduar deri më datë 12.12.2022”- ka thënë Xhaferi për KALLXO.com.

Rruga “Nekibe Kelmendi” fillon në rrugën Prishtinë – Gjilan (M25.2) dhe vazhdon në drejtim të Pallatit të Drejtësisë. Gjatësia e saj është 2,098.57 metra ndërsa gjerësia është rreth 5 deri në 5.5 metra.

Nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e kësaj rruge është bërë në fund të muajit gusht mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Gërlica”.

Vlera e ofertës fituese që e kishte dorëzuar kompania “Gërlica” ishte 526,736 euro.

Kontrata është paraparë të zgjas 120 ditë.

Javën tjetër nisin punimet në rrugën te Pallati i Drejtësisë, rruga do të bllokohet për një muaj