Deçan

Punimet në rrugën Deçan-Plavë u ndërprenë me kërkesë të kryeministrit, rinisin të hënën

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se me kërkesë të kryeministrit  Avdullah Hoti janë pezulluar përkohësisht punimet në rrugën Deçan-Plavë.

Ai ka paralajmëruar se punimet do të nisin në fillim të javës së ardhme.

“Duke parë lajme jo të vërteta nëpër portale të ndryshme, ju njoftoj se, pas kërkesës së Kryeministrit z.Avdullah Hoti, kemi pezulluar punimet në rrugën R-108, deri në fillim të javës së ardhshme! Nesër është e diel, ditë pushimi edhe ashtu! Vazhdojmë të Hënën!”, ka shkruar në rrjetin shoqërorë Facebook, kryetari Ramosaj.

Sot gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Alkesandër Vuçiq reagoi ndaj punimeve në rrugën që qon nga Deçani në Plavë, afër Manastirit të Deçanit.

Siç raportuan mediat serbe, Vuçiq paralajmëroi që do të kërkojë që të ndalohen përfundimisht punimet në atë zonë.

“Në mbledhjen tjetër në Bruksel, Serbia do t’u kërkojë përfaqësuesve të Prishtinës dhe ndërmjetësve evropianë që të ndërpresin urgjentisht dhe përgjithmonë punimet e ndërtimit në zonën e mbrojtur të manastirit”, citohet të ketë thënë presidenti serb.