
Punime në rrugë në Mitrovicë të Veriut, Policia kërkon të respektohet sinjalizimi
Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët se në rrugën “Kral Petri” në Mitrovicë të Veriut po zhvillohen punime dhe si pasojë mund të bëhet devijimi i qarkullimit rrugor në disa segmente të kësaj rruge.
“Njoftojmë qytetarët se në rrugën ‘Kral Petri’ në Mitrovicën e Veriut po zhvillohen punime për vendosjen e sinjalizimit rrugor. Për shkak të këtyre punimeve, Kompania përgjegjëse për realizimin e projektit, në koordinim me Policinë, mund të marrë masa për devijimin e qarkullimit rrugor në disa segmente të kësaj rruge.” – thuhet në njoftim.
Policia u bën thirrje pjesëmarrësve në trafik dhe banorëve të zonës të respektojnë sinjalizimin e vendosur dhe udhëzimet e autoriteteve për të shmangur vonesat e për të garantuar sigurinë e lëvizjes.
Më 07.03.2025, KALLXO.com raportoi se në rrugët e Mitrovicës së Veriut Komuna është duke vendosur shenjëzimin horizontal dhe vertikal, me ngjyrat gjelbër dhe bardhë.
Disa prej këtyre vendkalimeve të këmbësorëve shiheshin të përlyera me ngjyrë të bardhë.
Për këtë shefi i Operativës Rajonale në Mitrovicë të Veriut, Petrit Fejza kishte thënë për KALLXO.com se është duke u hetuar rasti.
“Nuk e dimë kush i ka bërë, veç e dimë që një dorë e keqe. Kemi diçka, jemi tu punu, mirëpo s’mund të them asgjë. Është nën hetime.” – kishte thënë Fejza.
Për dëmtimin e tyre pati thënë që është në dijeni edhe shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Syla.
“Po, e kemi pa. Institucionet janë duke e bërë hulumtimin e rastit. Në momentin që i identifikojnë institucionet ndërmarrin veprimet e tyre.” – potenconte Syla.
Tutje, Syla tregonte se ngjyrat gjelbër dhe bardhë në këto shenjëzime simbolizojnë qytetin e Mitrovicës.
“Shenjëzimi do të bëhet në krejt qytetin. Inspirimi ka ardhur se ngjyra e gjelbër dhe e bardhë janë ngjyra të Trepçës, minatorit e Mitrovicës.” – përfundoi Syla.
Ndryshe, më 06.03.2025, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se këto shenjëzime janë vendosur për të përmirësuar sigurinë dhe lehtësuar orientimin në qytet.