Punimet në Lagjen Pejton pritet të zgjasin deri në muajin shtator

Komuna e Prishtinës ka filluar rikonstruktimin e rrugëve në Lagjen Pejton tash e disa muaj ndërsa përfundimi i tyre pritet të bëhet rreth muajit shtator.

Vlera e këtyre punimeve kap shifrën prej 497 mijë eurove.

Sipas kompanisë ‘Gashi Ing’, e cila po i kryen këto punime, atyre u është dashur t’i ndërpresin punimet disa herë për shkak të hyrjes në stinën e dimrit dhe pastaj situata me COVID-19.

“Zyrtarisht punimet kanë filluar më 22 tetor 2019 në ndërtimin e kanalizimit atmosferik në rrugët ‘Nazmi Mustafa’, ‘Sejdi Kryeziu’ dhe ‘Perandori Justinian’ të cilat më pas përfunduan me fillimin e sezonit dimëror në fillim të dhjetorit. Me përmirësimin e kushteve atmosferike në fillim të muajit mars 2020 janë rifilluar punimet deri më 13 mars 2020, ku me përhapjen e pandemisë jemi detyruar t’i ndërpresim punimet. Këto punime kanë rifilluar me lehtësimin e masave dhe lëvizjes së lirë më saktë nga data 5 maj 2020 ku u vazhdua në punimin e instalimeve nëntokësore ku përfshihet ndërtimi i rrjetit të kanalizimit fekal, atmosferik dhe rrjetit të ujësjellësit në lagjen Pejton”, thonë nga kjo kompani.

Tutje në përgjigjet e kompanisë dhënë për KALLXO.com, thuhet se “Pas të gjitha vështirësive në ekzekutimin e instalimeve nëntokësore për shkak se rrejti i vjetër i ujësjellësit ka qenë i ndërtuar në vitet 70-ta dhe nuk kanë pasur identifikim të saktë në mos dëmtim të kyqjeve të ujësjellësit gjithashtu valvulat e vjetra nuk e ndalnin ujin për kryerjen e punimeve, kabllot elektrike, komunikacioni i ngarkuar, banorët dhe bizneset duhej të kishin qasje në rrugë për qarkullim dhe na është dashur t’i ndërpresim punimet”.

Sipas kësaj kompanie pas përfundimit të punimeve rrugët do të punohen me shtresa asfalti dhe trotuaret do shtrohen me kubëza.

Miranda Mullafazliu nga zyra për informim në komunën e Prishtinës ka deklaruar për KALLXO.com se këto punime po kryhen brenda afatit.
“Punimet në lagjen Pejton janë duke u realizuar brenda afatit dhe konform kushteve të kontratës”, u shpreh Mullafazliu.