Punimet në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Foto: Artane Rizvanolli/Facebook
Punimet në kanalin e Ibër-Lepencit, Rizvanolli njofton se gjatë ditës mund të ketë reduktime me ujë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se për shkak të punimeve që janë duke u kryer në kanalin e Ibër-Lepencit, ku ndodhi sulmi terrorist më 29.11.2024, gjatë ditës mund të ketë reduktime.
“Për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë në mesnatë. Si rrjedhojë, komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme” – tha Rizvanolli.
Ajo tregoi se intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës.
“Sikurse edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, për të zgjeruar pastaj furnizimin për KRU-të sa më herët që është e mundshme” – shtoi e para e Ministrisë së Ekonomisë.
Ajo inkurajoi qytetarët që të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë.
Po ashtu, Rizvanolli falënderoi ekipin e Ibër-Lepencit dhe kontraktorit për punën në kanal, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e edhe zëvendësministrit Hysen Durmishi që kanë përcjellë nga afër punën në terren gjatë gjithë natës.
Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit. Ky sulm terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë, teksa Serbia mohoi këto akuza.
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist.
Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq.
Në një konferencë për media pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Prishtinës, avokati Delleviq tha se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Lidhur me aktin terrorist, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të 30.11.2024.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.