QKUK - Foto: KALLXO.com

Punimet e planifikuara lënë pa rrymë për 11 orë sot dhe nesër disa klinika në QKUK

Një pjesë e Klinikave brenda QKUK-së sot dhe nesër nuk do kenë furnizim me energji elektrike për 11 orë, kjo pasi KEDS është duke kryer punime të planifikuara.

KALLXO.com ka siguruar njoftimin e menaxhmentit të QKUK-së ku njoftohen të gjithë përgjegjësit e klinikave që gjatë kohës sa nuk do ketë furnizim me energji elektrike t`i marrin masat dhe në pjesët vitale të kyçin gjeneratorët.

“Njoftohet personeli përgjegjës i klinikave të lartcekura se sipas njoftimit nga KEDS-i, më datën 28.05.2022, ditë e shtunë dhe 29.05.2022, ditë e diel, rreth orës 08:00 do të ndërpritet furnizimi me energji elektrike në të gjitha klinikat e QKUK-së, përveç në Kirurgjinë pediatrike. Ndërprerja e  furnizimit me energji elektrike për të gjitha klinikat e QKUK-së që do të ndodhë rreth orës 08:00, në datat e sipërshënuara do të zgjas më së shumti 10 minuta (vetëm transferin nga njëra linjë në tjetrën), kurse për klinikat e poshtëshënuara do të zgjasë 11 orë, sipas orarit të cekur më poshtë”, thuhet në njoftim.

“Më datën 28.05.2022, ditë ë shtunë, nga ora 08:00 e mëngjesit gjer më 19:00, klinikat të cilat nuk do të furnizohen me energji elektrike janë: KOGJ-i, Pediatria, Neonatologjia, Psikiatria e fëmijëve, Barnatorja qendrore dhe Laboratori i AKPM-së. Më datën 29.05.2022, ditë e diel, nga ora 08: e mëngjesit gjer më 19:00 klinikat  të cilat nuk do të furnizohen ,e energji elektrike janë: Instituti Onkologjik, Klinika e Pulomologjisë, Dermatologjisë, Ortopedia e re, Lavatorja qendrore, Kaldatorja dhe Stacioni qendror i gazrave medicinale te KOGJ-i dhe Impianti i mbetjeve medicinale”, ka njoftuar menaxhmenti i QKUK-së.

“Kjo ndërprerje e planifikuar e energjisë elektrike me këtë kohëzgjatje do të ndodh për shkak të punimeve të KEDS-it, për zëvendësimin e transformatorëve nga 10KVA në ato 20 KVA. Gjatë kësaj kohe prej 11 orëve, klinikat e lartcekura do të furnizohen me energji elektrike përmes gjeneratorëve të tyre, vetëm në ato pjesë (pjesë vitale) ku janë të kyçura në gjenerator. Prandaj nga përgjegjësit e klinikave kërkohet që t`i marrin të gjitha masat e nevojshme dhe t`i përshtaten kushteve të punës për kohën e lartcekur”, thuhet në njoftimin e menaxhmentit të QKUK-së e cila u është dërguar përgjegjësve të Klinikave ku do ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyra për media nga QKUK tha se rrymë nuk do të ketë në disa klinika as nesër.

“QKUK ju konfirmon se pasi është njoftuar lidhur me punimet që do të zhvillohen nga Keds, ka njoftuar me kohë të gjitha klinikat lidhur me ndërprerjen e planifikuar të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigje.

“Po ashtu, sektori teknik ka aktivizuar gjeneratorët në shërbimet dhe klinikat vitale. Ndërprerje të planifikuar do të ketë edhe nesër ( e diele) në disa klinika!”, thuhet në përgjigje.