Punime të zgjatura e dëmtime të shpejta në rrugët e Prishtinës

Qytetarët e Prishtinës vazhdimisht përballen me stërzgjatje të punimeve në rrugë, por edhe me dëmtim të shpejtë të shumë prej tyre, pak kohë pas përfundimit të punimeve.

Arsyet për defekte të shumta që dalin pak kohë pas punimeve janë kryesisht në cilësinë e dobët të punimeve, shpesh edhe nga mos konsultimi me palë tjera që po ashtu kryejnë punime të tilla si, ujësjellësi dhe KEDS.

Gjatë kësaj jave KALLXO.com ka raportuar për riparimet në rrugën ‘Agim Ramadani’, e këto punime nisën pak muaj pas përfundimit të rikonstruktimit të kësaj rruge, ku u shtuan edhe shtigjet e çiklizmit.

Lidhur me punimet me cilësi të dobët, KALLXO.com ka raportuar edhe për asfaltimin mbi baltë në lagjen ‘Kalabria’, pjesë kjo që konsiderohet problematike për shkak që gjendet mbi kolektorin e ujërave të zeza i cili ende nuk është përfunduar.

Punimet zgjatën më shumë së që është paraparë edhe në lagjen ‘Pejton’, punime këto që ishin paraparë të përfundojnë në shtator të vitit 2020, por që pas probleme me rrjetin e vjetër të ujësjellësit dhe planit për futjen e rrymës në tokë, punimet janë stërzgjatur.

Lagjja ‘Mati 1’ është ndër lagjet me më së shumti probleme sa i përket infrastrukturës së rrugëve.

Një ndër projektet me të mëdha në këtë pjesë parashihej të ishte rikonstruktimi i rrugës ‘Muharrem Fejza’ kontrata për të cilën u dha para pak javësh, pas një viti zvarritje në procedurat e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ky vit do i përcjellë banorët e kryeqytetit me shumë punime të tilla pasi një pjesë e madhe e projekteve në investime kapitale u bartën nga viti 2020 për shkak që prokurimi në këtë fushë ka qenë i ndalur për disa muaj, si shkak i situatës me pandeminë.

Pak muaj pasi u shtrua, riparohet asfalti në rrugën ‘Agim Ramadani’ – VIDEO