Punëtorin e kompanisë “Pastrimi” e zë prerësja e kamionit të mbeturinave, gjendja e tij është stabile

Një punëtor i Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë, ka pësuar lëndime trupore deri sa ishte duke salduar një pjesë të automjetit që bartë mbeturina.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryeshefi i kompanisë, Burim Kelmendi, i cili ka treguar se punëtori nuk ka pësuar lëndime serioze dhe gjendja e tij është stabile.

“Sapo isha në vizitë tek ai në emergjencë, ku na thanë se nuk ka ndonjë dëmtim në trup por ka pësuar pak shok sepse ka mbetur brenda në kamion për një periudhë kohore”, ka thënë Kelmendi për KALLXO.com.

Ai shtoi se punëtori do t’i nënshtrohet edhe disa analizave për ekzaminim të mëtejmë.

Kelmendi shpjegoi se punëtori deri sa ishte duke salduar brenda kamionit, në një moment të caktuar, njëra nga prerëset apo një pjesë që e ka pasë siguresën e sigurisë së tij brenda, i ka rënë mbi trup.

“Pasi e ka kry saldimin, ka ra siguresa dhe e ka zënë prerësja brenda por, nuk ka ndonjë lëndim serioz”, njoftoi Kelmendi.