Punëtori në Prishtinë dyshohet se ra nga kati i tretë si pasojë e montimit jo të drejtë të skeleve

Një punëtor, burrë 45 vjeçar ka vdekur pasi dyshohet se derisa ishte duke punuar ka rënë nga kati i tretë i një objekti në rrugën “Dëshmorët e Gollakut”, në Prishtinë.

Aksidenti dyshohet se ka ndodhur si pasojë e montimit jo të drejtë të skeleve punuese.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com, Ahmet Delolli nga Inspektorati i Punës për rajonin e Prishtinës.

“Dyshohet se deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e montimit jo të drejtë të skeleve punuese, ku për pasojë i ndjeri ka rënë nga kati 3 i objektit punues. Për më tepër në mungesë të personave tjerë në vend punishte, vazhdon procesi inspektimit dhe inspektoret e ngarkuar me rastin do të dalin me raport të detajuar për shkakun e aksidentit”, ka thënë Delolli për KALLXO.com.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se viktima derisa ka qenë duke punuar në vendin e tij të punës, ka rënë nga lartësia dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

“Prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie i është përgjigjur vendit të ngjarjes dhe me urdhër të njëjtës është iniciuar rast “hetim mbi vdekjen”, si dhe trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.

Tutje thuhet se Prokuroria në koordinim me policinë janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, për sqarimin e plotë të rrethanave rreth këtij rasti.

Sipas Prokurorisë trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.

Vdes një punëtor në Prishtinë, dyshohet se ra nga lartësia