Punëtori i Komunës së Ferizajt i dënuar për rrahjen e gruas i kërkon edhe të largohet nga shtëpia
Një grua viktimë e dhunës në familje në Ferizaj rrezikon të mbetet pa kulm mbi kokë pas një vendimi të Gjykatës së Ferizajt
Burri i saj një zyrtar komunal i Ferizajt është i dënuar nga shkalla e parë pasi kishte rrahur gruan së fundmi është rikthyer me kërkesa që ta nxjerrë nga shtëpia tash ish-bashkëshorten.
Kërkesa e tij është miratuar edhe nga Gjykata e Ferizajt e cila e ka urdhëruar nënën të dalë nga shtëpia me premtimin se ish bashkëshorti do i paguaj një qëra për banesë.
Me vendim të Gjykatës, kujdestaria e fëmijëve i takon nënës, por ish-bashkëshorti i saj tash e tre muaj e ka marrë djalin nga nëna për të jetuar me të.
Sipas M. Z. djalin janë duke e mashtruar, duke i blerë gjëra të shtrejta vetëm që të qëndrojë me babain e tij.
Sipas rrëfimit të M. Z., problemet kanë filluar që nga marsi i vitit të kaluar. Ajo thotë se ish-bashkëshorti i saj e ka sjellë në shtëpi gruan e dytë dhe kjo është detyruar të qëndrojë në ballkonin e shtëpisë për tri ditë bashkë me vajzën 16 vjeçare.
“Unë nuk largona prej shtëpisë time. 16 vjet jam në këtë shtëpi unë e kam ndërtuar bashkë me të por ai me vetëdëshirë ka dalë prej shtëpisë. Unë me vajzën time tre ditë kemi fjet në ballkon, kurse ajo gruaja ka nejtë një natë me djalin tim, me vajzën e saj që e ka me burrin tjetër ka nejt brenda. Ajo po mujka me nejt në shtëpinë time, unë po rri në ballkon”, rrëfen viktima për KALLXO.com.
Zyrtari komunal, njëherësh ish–burri i saj i ka premtuar një banesë me qira të paguar për 12 muaj por M. Z. nuk e ka pranuar pasi që sipas saj qëllimi i vetëm i tij është që ta dëbojë nga shtëpia. Një gjë të tillë e kanë kundërshtuar edhe fëmijët.
“Fëmijët nuk pranojnë, dojnë në shtëpi me nejt, por nëse e qet banesën në emër tem, që e kam të siguruar vendbanimin, unë dal. Ky (ish-bashkëshorti) e ka qëllimin vetëm me dal unë nga shtëpia, as me më siguru banesë me qira por vetëm me më largu prej shtëpisë”, tregon tutje.
Në anën tjetër, Fitim Shabani, avokati i zyrtarit komunal, thotë se klienti i tij është rikther në shtëpi pas 14 muajve pasi që ka qenë e pamundur të qëndrojë diku tjetër.
“Për asnjë moment klienti im nuk ka tentu që me largu dhe me lënë pa strehim, por ne tash e 1 vit e gjysmë jemi duke kërkuar nga pala që ta lirojë shtëpinë dhe jo vetëm klineti im por edhe familja e tij. Prona ku ajo është duke qëndruar është pronë e familjes së klinetit tim. Duke e parë që nuk ka rezultu me sukses kërkesa për t’ u larguar (nga shtëpia) klineti im është rikthyer në shtëpinë e tij”, shprehet avokati Shabani.
Dëbimin nga shtëpia të palës së dëmtuar po e kundërshton edhe Labinota Qosa – Ilazi, avokatja e viktimës M. Z.
Sipas saj, asnjë nen nuk thotë që pala e mbrojtur duhet të lëshojë shtëpinë.
“Nëse analizojmë ligjin dhe nenet për të cilët është thirrë gjykata nuk mund të gjejë në asnjë paragraf dhe nen të ligjit të dhunës në familje ku emërtohet se pala e mbrojtur duhet të lëshojë shtëpinë”, thotë avokatja e Qosa – Ilazi.
KALLXO.com është munduar të kontaktojë edhe me ish-bashkëshortin e viktimës por i njëjti nuk ka dashur të flas për këtë çështje.
Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së, K2.0, CEL apo QKSGJ.