Punëtorëve të KEK-ut do t'u ofrohen 8 deri në 10 tonë thëngjill
Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), do t’u ofrohen 8 deri në 10 tonë thëngjill në formë dhurate duke përfshirë edhe punëtorët që kanë arritur apo do ta arrijnë moshën e pensionit.
Ky vendim është marrë gati 4 vjet pas vendimit për të ndaluar dhënien e thëngjillit në formë dhurate për punëtorët, i marrë atëkohë nga Valdrin Lluka si masë për parandalimin e ndotjes së ajrit.
Ministria e Ekonomisë e ka marrë vendimin më 21 shtator ndërsa shtatë ditë më vonë, më 28 shtator bordi i drejtorëve të KEK-ut, e kishte miratuar propozimin e menaxhmentit për dhënien e thëngjillit për punëtorë të KEK-ut.
Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka thënë për KALLXO.com, se të gjithë punëtorët duke përfshirë edhe ata që kanë arritur apo do të arrijnë moshën e pensionimit do t’iu ofrohet një sasi e qymyrit 8 deri në 10 tonë.
KALLXO.com ka kërkuar të dijë nga KEK-u se a kanë të drejtë të blejnë thëngjill qytetarët të cilët nuk janë punëtorë të KEK-ut.
“Vendimi vlen vetëm për punëtoret e KEK-ut” – u shpreh ai.
Për këtë vendim ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur në Komisionin për Ekonomi, gjatë kohës sa po paraqiste raportin për gjendjen me krizën energjetike dhe vendimet e marra nga ana e qeverisë.
“Përveç ndalimit të prodhimit të kriptovalutave, vendimet e tjera, masa detyruese në institucione, eksporti dhe rieksporti i lëndëve djegëse, është shfuqizuar vendimi i datës 23.10.2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e ndërmarrjes KEK, të gjitha këto janë bërë me rekomandim të Komitetit Teknik Emergjent”- kishte deklaruar Rizvanolli.
Komisioni për Ekonomi dhe Industri me shumicë votash e ka miratuar raportin për gjendjen me krizën energjetike dhe vendimet e marra nga ana e qeverisë.
Ndërkaq, në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 3 tetor, me 61 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji.