Punëtorët teknikë të UP-së paralajmërojnë grevë nga java e ardhshme

Rreth 50 punëtorë teknikë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë protestuar për të dytën herë para rektoratit të këtij universiteti, si shenjë pakënaqësie ndaj pagave të tyre.

Ata kësaj here kanë theksuar se nga java e kaluar do të fillojnë me grevë nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Kryetari i BSPK-së, Jusuf Azemi, i është bashkuar përsëri atyre duke thënë se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre për rritje të pagës dhe njohjen e stazhit do të pezullojnë punën.

“Përderisa ne kërkuam herën e kaluar që  të jetë 350 euro dhe arsyetimi i rektoratit ishte se mungon buxheti, ata po blejnë vetura për luksin e tyre. Hapi ynë i ardhshëm ndërpreja e tërësishme e punës derisa të plotësohen kërkesat ë tyre”, tha ai.

Hysni Gashi përfaqësues i punëtorëve  tha se nuk kanë pranuar që të kategorizohen pagat.

“Ne nuk jemi pajtu më rritje të pagave me kategorizime, ne çdo herë do t’i qëndrojmë kërkesave tonë që të jetë paga 350 euro dhe të paguhet stazhi punës. Nëse nuk rriten pagat do ta sanksionojmë punën”, tha Gashi.

Bashkë me ta këtë herë ka qenë edhe kryetari i shoqata sindikale së punëtorëve të sigurimit, Rexhep Gashi tha se ata paguhen shumë pak ndaj punës që e bëjnë.

Megjithëse, javën e kaluar ata ishin takuar me përfaqësues të rektoratit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur sot.

Pas përfundimit të protestës sekretari i UP-së, Esat Kelmendi tha se punëtorët janë palë të treta dhe s’lidhin kontratë me punëtorët po me kompaninë. Ai shtoi se nuk kanë mundësi buxhetore që t’i përmbushin gjithë kërkesat e tyre.

“Tenderi i ri është në shqyrtim dhe kësaj radhe kemi bë një rritje prej 12% për të gjithë punëtorët. Është e pamundur t’i plotësojmë kriteret që i kërkojnë sepse ato janë palë të treta për ne dhe s’mund të marrim pagesën e ushqimit dhe stazhit sepse ne kemi kompaninë të kontraktuar. Ne me mundësitë tona e kemi rrit për 12% më shumë nuk kemi mundësi, prandaj kërkesat e tilla mund të jenë të dëshirueshme për të ardhmen por për momentin ne nuk mund të ju ofrojmë pagesë më shumë se kaq”, tha Kelmendi.