Punëtorët teknikë të QKMF-së në Gjilan paralajmërojnë bojkot

Punëtorët teknikë të Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan sot kanë protestuar para objektit ku ata punojnë .

Ata përmes protestave kanë shprehur pakënaqësitë për mos-përfshirje në pakon emergjente.

Nazif Osmani, shef i Shërbimeve Teknike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan ka thënë për KALLXO.com se revolta është më e madhe nga ana e vozitësve të cilët gjatë gjithë kohës janë  në terren me ekipe që punojnë enkas për familje që janë të prekur me COVID-19.

Sipas tij, me ta shkon edhe vozitësi dhe i njëjti është i rrezikuar dhe kërkesë e tyre është që të hyjnë në listën e shtesave që po jepen.

“Sot më shumë ka qenë një shenjë pakënaqësie, pastruesit, vozitësit, ka qenë shqetësim prej dje në momentin që kanë ardh listat, nuk kemi qenë në kategorinë e stimulimit të 600-shit dhe revolta bëri që sot në orën 10 në shërbimin teknik, administrata,  të shprehin pakënaqësinë pasi që sidomos vozitësit dhe pastruesit të mbeturat e COVID-19 gjithë ditës  i pastrojnë”, është shprehur Osmani.

Osmani ka thënë për KALLXO.com, se nëse nuk përfshihen në pakon emergjente, nga e hëna do ta bojkotojnë punën e shërbimit teknik dhe sipas tij do të shihen pasojat në këtë kohë të pandemisë.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka paralajmëruar protestë dhe ndërprerje të punës në qendrat e mjekësisë familjare dhe në spitale nëse në pakon emergjente nuk do të përfshihen edhe punëtoret teknikë nga sektori privat.

“Javën tjetër do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Sindikatës dhe jam i bindur që të ndërpritet puna, sidomos në qendrat e mjekësisë familjare, ku janë të përfshirë punëtorët teknikë”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.

KALLXO.com ka provuar të marrë qëndrim edhe nga Komuna e Gjilanit, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.