Ilustrim

Punëtorët shëndetësorë nesër në grevë tetë orëshe

Punëtorët shëndetësorë nesër pritet të hyjnë në grevë të përgjithshme tetë orëshe.

Sipas komunikatës së Federatës Sindikale të Shëndetësisë, greva do të mbahet në të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë dhe do të fillojë nga ora 07:00 në mëngjes e deri në ora 15:00.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se kjo grevë do të mbahet për shkak se institucionet ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje rreth kërkesave të punëtorëve shëndetësorë.

“Këshilli Qendror Grevist kërkon mirëkuptim nga qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë Grevës respektivisht solidarizim me punëtorët shëndetësor të cilët po e shfrytëzojnë një të drejtë ligjore për kërkesat sublime të tyre siç janë kushte më të mira për punë dhe mirëqenie sociale. Grevën nuk e duam ne por atë po na e imponon injoranca e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve shëndetësor, qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulancave, kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë.

Mos përfshirja në pagën stimuluese prej 60 euro, e ndarë nga Qeveria e Kosovës për mjekë dhe infermierë, i ka detyruar sindikalistët e institucioneve shëndetësore të protestojnë.

Gjatë kohës sa kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve shëndetësor po protestonin para Ministrisë së Shëndetësisë, sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi i ka takuar protestuesit.