Punëtorët shëndetësorë marshojnë me 1 mars kundër projektligjit të ri të pagave

Sindikata e Infermierëve të Kosovës njofton se me datë 1 mars do të organizohet një marsh për të kundërshtuar projektligjin e ri të pagave që sipas tyre është diskriminues ndaj punëtorëve shëndetësorë.

“Sindikata e Infermierëve të Kosovës në bashkëpunim me Odën e Infermierëve të Kosovës, Shoqatën e Infermierëve të Urologjisë së Kosovës, Shoqatën e Instrumentareve të Kosovës, Shoqatën e Infermierëve të Psikiatrisë së Kosovës organizon aktivitetin “Marshojmë për pagë dinjitoze””, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, marshi do të niset nga Qendra Klinike Universitare të Kosovës për të vazhduar drejt sheshit “Zahir Pajaziti” dhe duke përfunduar në sheshin “Skënderbeu”, para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Sindikata ju ka bërë thirrje të gjithë punonjësve shëndetësorë që t’ i bashkëngjiten këtij marshimi.

“Ftohen të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor nga e gjithë Kosova, ShSKUK/QKUK, Spitalet Rajonale, QMF-të, QKMF-të, Shërbimet e Mjekësisë Urgjente, që t’i bashkëngjiten këtij arshimi”, thuhet tutje në njoftim.

Në projektligjin e ri për paga, i cili është ende në fazat e hershme të diskutimeve janë përcaktuar koeficientet e rinj të pagave të punëtorëve në sistemin shëndetësorë.

Drejtuesit e nivelit parësor, dytësor dhe tretësor në shëndetësi nuk do të kenë koeficient të njëjtë.

Sipas projektligjit, drejtuesit e institucioneve të nivelit dytësor dhe tretësor pritet që të kenë koeficient të pagës 10.6. Drejtuesit e institucioneve të nivelit parësor me projektligjin e ri, i cili ende është në procedurë, do të kenë koeficient të pagës 10.4.

Mjeku specialist, mjeku specialist i Mjekësisë Familjare, Stomatologu Specialist, Farmacisti Specialist me projektligjin e ri do të kenë koeficient 10.1.

Me anë të ndryshimeve që janë bërë në projektligjin e ri, mjeku i cili është në specializim do të ketë koeficient 8.

Mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacisti me projektligjin e ri do të kenë koeficient të pagës 7.4, psikologu klinik do të ketë koeficient 7.

Në projektligjin e ri, pozitat si: fizioterapeut, logoped, radiologji diagnostike, mjekësi sanitare do të kenë koeficient 6.

Kryeinfermieri i nivelit tretësor të shëndetësisë do të ketë koeficientin 5, kurse kryeinfermieri i nivelit parësor dhe sekondar do të kenë koeficientin 4.9.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësorë dhe teknikët farmacistë të nivelit tretësor me nivel shkollimi Bachelor do të kenë koeficient page 4.75.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësor dhe teknikët farmacistë të nivelit parësor dhe sekondar me nivel shkollimi Bachelor do të kenë koeficient page 4.6.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësor dhe teknikët farmacistë të nivelit tretësor me shkollim të mesëm do të kenë koeficient page 3.8.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësor dhe teknikët farmacistë të nivelit parësor dhe sekondar me shkollim të mesëm do të kenë koeficient page 3.7.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës. Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji i ri për paga në sektorin publik nuk është miratuar ende në Qeverinë e Kosovës.