Punëtorët shëndetësor protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë

Kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve shëndetësor, qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulantave, kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë.

Mos përfshirja në pagën stimuluese prej 60 euro, endarë nga Qeveria e Kosovës për mjekë dhe infermierë, i ka detyruar sindikalistët e institucioneve shëndetësore të protestojnë.

Kryetari i sindikatave të sektorit privat, Jusuf Azemi, tha se nga ora 11:00, deri më ora 12:00, kategoritë të cilat nuk janë përfshi në pagën stimuluese kanë bojkotuar punën dhe kanë dalë në protestë.

“E gjithë ironia jonë është se ne në të njëjtin objekt punojnë bashkarisht dhe është bërë një diskriminim që ne nuk e kemi mendu”, u shpreh ai.

Ai thotë se do t’i kërkojnë të drejtat e tyre deri sa ato të gjejnë zbatim nga udhëheqësit e shtetit.

Edhe Sabri Ejupi, përfaqësues i sektorit të sigurimit në QKUK, e quan diskriminues mos përfshirjen e sektorit të sigurimit në pagën stimuluese, pasi që sipas tij, shëndeti i secilit punëtor, i sektorit të sigurimit në QKUK është i rrezikuar për shkak se ai thotë që të gjithë pacientët fillimisht kalojnë nga sigurimi, pastaj takohen me pjesën tjetër të stafit.

“Pse me u anashkalu ne, edhe ne jemi njerëz kemi pas raste të infeksionit dhe e kemi dërgu në shtëpi. Është e drejta jonë të protestojmë sepse ne punojmë në të njëjtin vend me mjekët e punëtorët”, shprehet ai.

E mllefosur dhe e dëshpëruar për mos përfshirjen në pagën stimuluese është edhe punëtorja e QKMF 4 në Prishtinë, Emine Sahidi, ajo thotë se të gjitha dhomat e pacientëve dezinfektohen nga ajo dhe kolegët e saj dhe një gjë e tillë e rrezikon shëndetin e familjes.

“Jemi ne më të rrezikuarit, kur është rreziku nuk thonë mos hyni ju por ne duhet me hy. Ne jemi të rrezikuara më së shumti se të gjithë”, shprehet e mllefosur ajo.

Ajo thotë se që nga fillimi i pandemisë vetëm dy muaj ka marrë pagë, nga pagat stimuluese.


Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 25 gushtit të këtij viti pati vendosur që t’i ndajë 10 për qind pagë shtesë për mjekë dhe infermier.

Ministria e Financave për këto paga ka ndarë 2 milion e 700 euro.

Qeveria do ndajë për tre muaj të paktën nga 60 euro për stafin shëndetësor