Punëtorët ‘nuk dinë nga u vjen rreziku në punë’

Sot është mbajtur konferenca e përmbylljes se Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë.

Avni Ajdini, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), tha se siguria në punë është temë mjaft serioze dhe e cila po përballet me mjaft probleme. Ai theksoi se vetëdija e punëdhënësve duhet të ngritet.

Sipas tij, ka raste kur punëtorët nuk e dinë nga u vjen rreziku.

“Punëtorët në disa raste nuk e dinë nga u vjen rreziku sepse për shembull disa punojnë me elemente kimike dhe pa qenë të vetëdijshëm vjen deri te vdekja e punëtorit dhe kjo quhet vdekje e heshtur”, tha Avni Ajdini.

Ndërsa Valon Leci, Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, ka thënë se ky Inspektorat po bën maksimumin për ngritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Qëllimi ynë themelor është që me pasë sa më pak aksidente në vendin e punës dhe mundësisht mos me pasë asnjë aksident të vetëm me vdekje gjatë orarit të punës”, tha Valon Leci.

Ai gjithashtu ka thënë se gjatë tri viteve të fundit kanë pasur në fokus të inspektimit kompanitë e ndërtimit meqë aty ka pasur më së shumti raste që kanë përfunduar me fatalitet.

“Çështja e sigurisë në pune nuk është vetëm çështje juridike por edhe humane sepse ka të bëjë me të drejtën e njeriut dhe me jetën e njeriut”, shtoi Leci.

Besim Mustafa nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se shumë ndërmarrje kanë filluar t’i kryejnë obligimet e veta në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë ndërsa shtoi se edhe pse fokusi është te ndërmarrjet private, ka shume sektorë publikë që nuk i përmbushin kriteret për shëndet dhe siguri në punë.

Java Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Agjensia Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.