Punëtorët e Trepçës ende pa rroga

Problemet lidhur me rrogat e minatorëve të Trepçës nuk kanë të ndalur. As sot me katërmbëdhjetë janar këta punëtorë nuk i kanë marr rrogat e tyre.

Ky është një problem i vazhdueshëm muajt e fundit për minatorët e Trepçës ku qeveria është dashur që të ndërhyje disa herë me ndarje të mjeteve qoftë edhe për sigurimin e të paktën rrogave për minatorët.

Pas raportimit të ardhur në Kallxo.com, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrje ka konfirmuar se punëtorët e Trepçës ende nuk kanë marr rrogat për këtë muaj.

Osmani ka thënë se pas një takimi që kanë pasur punëtoret me drejtorin e Trepçës, Nexhat Dedia, iu është thënë se duhet të presin deri rreth datave 19 dhe 20 janar për t`i marr rrogat.

Ndërsa arsye e mos marrjes se rrogave deri tani është mos shitja e koncentratit, procedurë e cila sipas Osmanit është në proces dhe duhet të presin derisa të përfundojë.

”Para disa ditëve kemi biseduar me drejtorin e Trepçës, e bonem një marrëveshje pasi këtë muaj që shkoj ka qenë mirë por se duhet të presim deri në shitjen e koncentratit është në proces dhe deri ka i 19 apo 20 qysh janë marr vesh  po presim”, tha Osmani.

Pa rroga kanë mbetur të gjithë punëtorët e Trepçës në Mitrovicë, minierës se Artanës.

Edhe në nëntor të vitit 2020 rreth 900 punëtorë të Trepçës ishin futur në grevë për shkak të mos marrjes së rrogave.

Po atë muaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita ushtruesi i detyrës se drejtorit në minierën e Trepçës, Hysen Vrajolli.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com thuhej se Vrajolli kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë.

“Për shtatë muaj nuk kam lënë guri pa luajt prej vendi për me përmirësu ecurinë e prodhimit dhe aktiviteteve tjera në mënyre që Trepça të shkoj drejt rentabiliteti. kohëve të fundit një fushatë permanente është zhvilluar kundër angazhimit tim duke mos kursyer mjete e as metoda”, thuhej në dokumentin e dorëheqjes së Vrajollit.

Po atë ditë Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi (tashmë i dorëhequr) pati njoftuar se ishin ekzekutuar 1 milion euro për Ndërmarrjen Publike “Trepça”.