Punëtorët e Trainkos ankohen se nuk u janë paguar kursimet pensionale në Trust

Disa punëtorë të ndërmarrjes Publike Trainkos, të cilët kanë kërkuar të mbeten anononim, kanë raportuar në KALLXO.com se kjo ndërmarrje nuk është duke jua paguar kursimet pensionale në Trust, edhepse sipas tyre këto mjete atyre iu ndalen në rroga.

Sipas raportimit punëtorët e kanë vërejtur se nuk janë duke iu paguar kursimet pensionale pasi të njëjtit kishin aplikuar për tërheqjen e 10% nga Trusti.

Raportimet janë se kanë kaluar me shumë se një vit e gjysmë që kompania Trainkos nuk ua paguan punëtorëve të tyre Trustin.

Për ta kuptuar se ku kanë shkuar paratë e Trustit të punëtorëve, pasi kompania jua ka ndalur ato dhe nuk i ka paguar kontributet, sipas raportimit të punëtorëve, përgjigje kemi kërkuar nga Besfort Meta, drejtor i administratës dhe personalit në Trainkos.

Meta nuk e ka mohuar një gjë të tillë, ai shkurt na ka thënë që pyetjet t`i dërgojmë me shkrim tek zëdhënësi i kompanisë.

“Dërgoni me shkrim pyetjet tuaja te zëdhënësi dhe ai u kthen përgjigje”, tha Meta.

Kallxo.com më 17 dhjetor të këtij viti ka kërkuar përgjigje nga Behxhet Haziri nga Trainkos, por i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet se pse nuk iu është paguar trusti punëtorëve.

Haziri ka thënë se pyetjet tona i ka dërguar në departamentin e financave dhe po pret përgjigje nga ta.

“Unë i kam përcjellë pyetjet te departamenti i financave, sepse këtu ka rregull nuk mundem unë me kthy përgjigje pa me kthyer ata mua”, ka thënë Haziri.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Trainkos nuk ka kthyer përgjigje lidhur me pretendimet e punëtorëve të kësaj ndërmarrje se nuk iu janë paguar kursimet pensionale në Trust, edhe pse sipas tyre mjetet iu janë ndalur në rroga.