Punëtorët e Telekomit të Kosovës protestojnë para Qeverisë - VIDEO

Me pankarta me mbishkrimet “Unë punoj, Devollët pasurohen”, “Qeveria duhet të jetë zot në shtëpinë e vet”, “Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur”, “Fëmijët tanë duan bukë”, ka filluar protesta e punëtorëve të Telekomit të Kosovës para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë protestuar sot para objektit të Qeverisë për pakënaqësitë e tyre rreth mosekzekutimit të pagave të tyre e poashtu për bllokimin e gjirollogarive të Telekomit.

“Ne sot po zhvillojmë një protestë të cilën e kemi paralajmëruar që nga muaji korrik, por kjo protestë është me fajin e deputetëve që janë në Kuvendin e Kosovës. Me fajin e tyre sot jemi një ndërmarrje që kemi mbetur në mëshirën e fatit”, ka thënë Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit.

Balaj tutje ka thënë se punëtorët e Telekomit kanë hyrë në muajin e dytë pa paga, dhe janë duke u rrezikuar të gjithë konsumatorët e Telekomit të Kosovës.

“Ne kemi mbi 400 kontrata me persona fizik që i kemi antenat e vendosura në pronat e tyre dhe tash një pjesë e tyre kanë filluar të ndalen për shkak të mos pagesës. Qeveritarët tonë kanë rënë në një gjumë të thellë dhe nuk po e dinë rëndësinë e Telekomit. Ne iu bëjmë me dije se nuk e kemi ndërmend të tërhiqemi, nuk kemi dal as të rrëzojmë qeveri as në emër të ndonjë partie politike por me iu tregu se saherë vjedhin njerëzit në Kosovë punëtorët e Telekomit nuk munden me bartë atë barrë”, ka thënë Balaj.

Kryetari i Sindikatës ka thënë se djersën e punës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës nuk do ta marrë askush.

“Mos harroni i keni rreth 2 mijë e 300 punëtor të Telekomit, 400 familje që kanë një antenë në shtëpi që varet prej Telekomit të Kosovës. Kërkesat tona janë zhbllokimi i gjirollogarive, pagat e punëtorëve, por në asnjë mënyrë nuk lejojmë të na gënjeni”, ka thënë Balaj.

Balaj tutje ka bërë të ditur se protesta do të vazhdojë derisa protestuesit të kenë mundësi të qëndrojnë para objektit të Qeverisë.

Punëtorët e Telekomit ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

Punëtorët e Telekomit kanë paralajmëruar edhe më herët protesta e greva nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr asnjë hap për të zhbllokuar llogaritë dhe kthimin e mjeteve në llogarinë e Telekomit, të cilat janë bllokuar e tërhequr nga kompania “Dardafon”, kompania amë e Z-Mobile, si pasojë e borxhit ndaj saj.

KALLXO.com po transmeton live protestën e punëtorëve të Telekomit të Kosovës.