Punëtorët e Telekomit nisin protestë 24 orëshe para Qeverisë

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës ka nisur një protestë 24 orëshe para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga Qeveria që ta shpëtojë Telekomin.

Lahmi Balaj, kryesindikalist, ka kërkuar nga Qeveria dhe deputetët që ta ndëprejë pesë minuta seancën e të dalin para objektit të Qeverisë t’i shohin punëtorët e Telekomit që kanë dalë të protestojnë në kohë pandemie.

“Të nderuar deputetë duhet të bëheni bashkë që të mbroni Telekomin e Kosovës. Sot iu janë mbyllur dyert 3500 punëtorëve. Është e turpshme prej juve që na lejoni të dalim në këtë kohë pandemie në diell, që në mesin tonë ka invalidë të luftës, veteranë e invalidë të punës”, tha Balaj.

Balaj tha se ata kanë dalë ta mbrojnë kompaninë që, sipas tij, ia ka mbushur xhepin buxhetit të Kosovës dhe ka kërkuar nga Qeveria që të marrë përgjegjësinë për situatën në Telekom.

Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës ka dhënë dorëheqje pas vendimit për tërheqjen e 26 milionë eurove nga llogaria e kompanisë publike nga ana e përmbaruesit.

Pas bllokimit të xhirrollogarisë së Telekomit, milionat e kompanisë publike kanë shkuar në llogari të kompanisë “Dardaphone.net”.