Punëtorët e sektorit privat – pushtetarëve: “Cila rrenë do pijë ujë tash…”

Sindikata e Punëtorëve në Sektorin Privat ka reaguar ashpër për gjendjen e punëtorëve në Kosovë.

Në një shkrim të gjatë ku ja përmend institucioneve gjendjen e krijuar dhe mosveprimin e tyre, aty thuhet se me kushtet dhe pagën që kanë punëtorët në këtë sektor, nuk e bënte këtë as okupatori serb.

Kjo sindikatë thotë se nuk zbatohet Ligji i punës, nuk ka sigurime shëndetësore dhe nuk ka fond për punëtorët që humbin jetën në vendin e punës.

Reagimi i plotë i Sindikatës:

Tani më është bërë dukuri e natyrshme se gjendja e punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës është e mjerueshme. Fillojmë nga ajo më e rënda ku për shtatë muaj jetën e tyre punëtorët e këtij sektori duke u munduar që familjes së tyre tu ofrojnë një kafshore buke për mbijetesë e humbën jetën 13 punëtor, por edhe tre të tjerë pas lëndimeve të marra në punë vdiqën pas një periudhe kohore jo shumë të gjatë . Kishte edhe shumë të tjerë të cilët nga lëndimet në punë ata kurrë më nuk do të jen të aftë për tu kthyer në vendet e tyre të punës .

Një kategori e punëtorëve e sakatosur deri në palcë nga shteti i vet, një kategori që udhëheqësit tanë shtetëror e shtrydhen si limonin që për veti të krijojnë komoditet personal dhe familjes së tyre. Shkatërruan fuqinë punëtore profesionale duke ju imponuar atyre rrugët e kurbetit, Përderisa nga viti 2011 e gjer më sot këta maskarenj pagat e tyre i rriten 5 herë , kurse për ata që derdhin djersën edhe në temperature 30 gradë kanë pagën 130 euro dhe 170 me çka këtë veprim nuk e bëri as okupatori serb .

Në 70 % të  kompanive tani këta punëtor janë pa kontrata pune , 90 % të atyre që kanë kontrata pune pushimi i tyre vjetor është vetëm 10 ditë, shumë punëtor që tani dalin në pension, shohin se pronari i kompanisë nuk ka derdh asnjë metelik ne fondin pensional të tyre, dmth njëzet vjet pas lufte, lulëzojnë hotelet, blloqet e banesave, ndërtimet e rrugëve që krejt kjo bëhet me djersen e këtyre punëtorëve këtyre nuk u respektohet as e drejta elementare që është e sanksionuar me ligj dhe Marrëveshje Kolektive. Të gjitha këto po i dinë dhe po i mbanë në qafë punëtori i ngratë por kot sepse shteti ju ka gjuajt në qafë me mekanizmat e vetë.

Një përfaqësues i Bashkimit Evropian, Luigj Brusa në një takim tha ne kemi financuar 3 milionë euro për Inspektoratin e punës me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në inspektoratin e punës e çka ishte më shokuese njeriu bajagi përgjegjës në këtë inspektorat nuk dinte asgjë për këto mjete. Po në këtë takim një punëtor u ankua se është larguar nga vendi i tij i punës vetëm pse kur ministri i punës ishte në vizitë në një kompani dhe ky u lavdërua gjëja se kjo kompani po respekton të drejtat e punëtorëve, por ky punëtor i kësaj kompanie i shkroi mesazh ministrit duke i thënë se nuk është gjendja ashtu siç ia ka interpretuar pronari i kompanisë por është shumë ma ndryshe duke i dhënë informacione se vetë këtij punëtori i bëhet e padrejtë duke i argumentuar me fakte, dhe ndodhi ajo që nuk duhej ndodh ky punëtorë u largua nga puna, jo me bekimin e ministrit të punës, dhe ky punëtor sot sillet rrugëve.

Qeveri e nderuar dhe ju pushtetar ju e dogjët fuqinë tonë punëtore me paga nënçmuese ju ja humbët krenarin atyre që të parët rrezikuan familjet e veta duke mos njohur sistemin dhunues të armikut nga vitet e ‘90 ju edhe sot po dhunoni këtë kategori të punëtorëve por mos harroni se edhe ju do të digjeni, por fatkeqësisht të fundit.

Nga viti 2011 e deri më sot keni paga 130 dhe 170 euro që askush në rajon nuk i ka Ju me mekanizmat e juaj nuk zbatoni ligjin e punës dhe ligjet tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve Ju nuk keni ligjin mbi sigurimet shëndetësore  Ju nuk krijuat një fond apo mbështetje financiare për punëtorët që vdiqën në vende të punës Ju ndani mjete njerëzve të juaj për çështje shëndetësore që janë në listën e njerëzve më të pasur në Kosovë, por jo edhe për ata punëtorë që nuk kanë mjete as për varrimin e tyre. Ju nuk qani kokën se në saje të kësaj gjendje, shumë kompani tani veçse duhet mbyllur në mungesë të fuqisë punëtore.

Dhe në fund tani nuk e di cila rren do pijë ujë para këtyre punëtoreve meqë veç jemi në prag të zgjedhjeve, sigurisht se ne si sindikatë kemi një opsion për gjendjen që e krijuat.