Punëtorët e QKUK-së protestojnë për përjashtimin nga shtesa prej 300 euro

Në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës sot është mbajtur një orë protestë nga punëtorët teknik, të sigurimit fizik dhe të pastrimit për mos përfshirjen e tyre në listë për shtesën prej 300 eurove, e cila është duke u ndarë nga Qeveria gjatë pandemisë.

Përfaqësuesi i punëtoreve të sigurimit dhe pastrimit, Valon Krasniqi, ka thënë se është e padrejtë mos përfshirja e tyre në këtë listë.

Krasniqi shtoi se para mantel-bardhëve janë ata vija e parë e frontit.

“Na protestën sot e kemi bërë kundër vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe jo kundër kompanisë. Ne e kemi kontaktin e parë me palën jemi më të rrezikuarit ndërsa neve na kanë lenë të neglizhur. I lypim drejtat tona, pse një doktor kur është përfshi në pako pse atëherë ne sigurimi mos me u përfshi. Ne të gjithë jemi të rrezikuar nga COVID-19. Kemi pas kontakte më shumë se doktorët”, ka thënë ai.

Ndërkaq Nystret Aliu, punëtor sigurimi ka thënë se protestën do ta vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Sigurimit po i bëhet një e padrejtë, pastrueseve, higjienës si dhe atyre çka e japin oksigjenin. Prej ditës së parë ne jemi ballafaqua me coronavirus. Ka pas raste kur pacienti ka tentuar me dal  nga dritarja, terrase. Ne gjithmonë kemi ndërhy që ata të mos kenë kontakte ndërmjet veti. Kemi raste kur na vijnë edhe njerëz agresiv na u rrezikohet jeta. Na e meritojmë të përfshihem në këtë paketë.  Kemi bërë kërkesë por nuk janë marrë parasysh nëse nuk merren parasysh këto kërkesa ne  çdo ditë do të dalim në protestë deri sa të na i plotësojnë kërkesat, një orë dy sa ta shohim të nevojshëm”, ka theksuar ai.