Seanca ku dëshmuan punëtorët e marketit (16.08.2022), Foto: KALLXO.com

Punëtorët e marketit përshkruan tmerrin që përjetuan në momentin e grabitjes

“Kur pashë armën, e frikësuar bëra një hap prapa dhe mbeta e shtangur” – tha Alketa Hasimi duke i përshkruar momentet kritike të ditës kur ishte grabitur marketi ku ajo punon.

Për këtë grabitje po akuzohet Agon Kurtolli.

Ajo duke deklaruar para trupit gjykues tha se ditën kritike asaj grabitësit i kishin marrë një shumë të konsideruar parash

Dëshmitarja tregoi se si grabitësi Agon Kurtolli ishte i maskuar me maskë dhe me kapelë.

Duke u ballafaquar me të akuzuarit, ajo tha se Agon Kurtolli ka qenë personi që e kishte grabitur sipas saj në natën kritike.

“Së pari ka sjell tek arka disa produkte alkool, cigare dhe të tjerat nuk po më kujtohen, pastaj  ka dal jashtë pa i paguar produktet, fakti që i ka lan qaty na e kemi ditë që ko me u kthy me i pagu, pastaj ka hyrë brenda m’i ka dhënë 5 euro edhe ka thënë a mundesh me m’i thy dhe në momentin që e kom hapë arkën personi e ka nxjerrë revolen edhe me tjetrën dorë u zgjatë me i marrë paret” – deklaroi ajo.

Në fund Hasimi shtoi se nga mënyra se si i akuzuari ecte dhe fliste, ishte e qartë që ai ishte nën ndikimin e alkoolit.

Sot para trupit gjykues rrëfimin e tij për ngjarjen e ka dhënë edhe punëtori tjetër i atij marketi, Kushtrim Canolli.

Dëshmitari tregoi se të gjithë konsumatorët ishin frikësuar kur ka hyrë grabitësi, por që ai vetë nuk ka arritur ta shoh grabitjen pasi ka qenë në një sektor tjetër të marketit.

Me dëshminë e këtyre dëshmitarëve ka përfunduar gjykimi, për të vazhduar tutje më 30 shtator të këtij viti.

Sipas Prokurorisë, Agon Kurtolli akuzohet se më 1 tetor 2021, i maskurar me maskë anti-COVID, ka hyrë në njërën nga barnatoret në rrugën “Agim Ramadani” duke treguar armën, me qëllim që t’i sjell vetes dobi pasurore por që nga kjo e fundit nuk ka arritur të marrë ndonjë gjë. Me këtë veprim i njëjti ka kryer veprën penale grabitje në tentativë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, në po atë natë Kurtolli e ka grabitur një market në rrugën “Isa Kastrati”, ku i maskuar dhe me kërcënimin e armës i njëjti ka arritur që nga arka e këtij marketi të marrë 50 euro. Kështu duke kryer veprën penale të grabitjes.

Tutje në aktakuzë thuhet se Agon Kurtolli dhe Bardhyl Neziri së bashku, më 2 tetor 2021, në rrugën “Gazmend Zajmi”, më saktësisht në marketet e Maxit, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur të grabisin 125 euro.

Ku për këto veprime të dy së bashku akuzohen për veprat, armë-kontroll dhe posedim i pa autorizuar i armës dhe për veprën penale të grabitjes.