Protesta e Sindikatës së Lotarisë

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës, paralajmërojnë grevë para Qeverisë

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës sërish kanë protestuar sot duke kërkuar miratimin e Ligjit të Lotarisë dhe kompensimin e pagave, duke paralajmëruar se do të futen në grevë para Qeverisë së Kosovës, nëse kërkesat e shtruara tash e një kohë, nuk u realizohen.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, Shkumbin Goqi, tha se kërkesë e tyre tash e sa kohë është miratimi i Ligjit të Lotarisë dhe kompensimi i pagave në mënyrë që të mund të kthehen në punë, porse e gjitha deri më tash ka rezultuar shterpë meqë autoritetet shtetërore as që kanë pranuar të flasin me ta.

“Kemi kërkuar takime edhe prej protestës së fundit, askush nuk është përgjigjur, kemi dërguar edhe e-mail, prapë njëjtë. Do të vazhdojmë edhe sot edhe ditëve tjera deri sa të plotësohen kërkesat tona sa i përket ligjit dhe pagave, obligimet që ka qeverisa ndaj neve”, tha Goqi.

Ai tha se Lotaria e Kosovës ka 60 punëtorë aktiv dhe gjendja financiare e tyre është e rënduar. Ai paralajmëroi që nëse kërkesat nuk plotësohen do të futen në grevë.

“Kemi paralajmëruar protestë të mërkurën, të premten, javën tjetër e ndoshta do të shkojmë edhe me grevë para Qeverisë, do të rrimë këtu deri sa të plotësohen kërkesat tona”, tha ai.

Goqi shtoi se ndonëse nga Ministria e Financave u kanë premtuar që do të takohen me sindikatat për të biseduar për kërkesat e tyre, deri më tani nuk ka ndodhur ndonjë takim.