Punëtorët e Lotarisë në protestë, kërkojnë miratimin e Ligjit, ankohen se Lotaria e Serbisë operon në Kosovë

Me pankarta e fishkëllima kanë protestuar disa punëtorë të Lotarisë së Kosovës sot para objektit të Qeverisë me kërkesën për miratimin e Ligjit për Lotarinë.

“Mos na rrezikoni ekzistencën”, “Qeveria pronare, punëtorët në rrugë”, “Qeveria të merr përsipër pagat”, janë disa nga pankartat me të cilat shprehen pakënaqësitë e tyre këta punëtorë.

Shkumbin Goci, njëri nga përfaqësuesit e Lotarisë së Kosovës tha para mediave së kanë pasur disa bisedime me përfaqësues të Qeverisë por nuk kanë ndërmarr ende asgjë sa i përket Ligjit për Lotarinë.

“Na kanë thanë që do të bisedojmë, do të rregullohet çështja e juaj, janë afër gjërat, por afrohen vetëm sa me ndalë protestën, që mos me dal, gjoja mbështetje por ka qenë ndoshta veç një shaka e tyre me na ndalë prej këtyre protestave”, ka thënë Goci.

Ai shtoi së do të vazhdojnë të protestojnë edhe ditëve në vijim.

Goci tha se ndonëse Lotaria e Kosovës nuk po lejohet të funksionojë, në veri të vendit po ushtron funksion Lotaria e Serbisë.

“Kam foto një lojtar i ka dërguar prej pjesës veriore të Mitrovicës ku neve na mohohet e drejta për me organizu lojëra të fatit. Kurse Lotaria e Serbisë organizon edhe në territorin tonë. Krejt zonat ku ka popullatë Serbe organizohet lotaria. Qysh është e mundur që 100 familje me i lanë pa bukë, pa punë, kurse Lotaria e Serbisë vjen na organizon lojën tonë, vjen në territorin tonë”, ka shtuar Goci.

Goci tutje tha se janë takuar me kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja i cili ju ka thënë që do e shqyrtojnë kërkesën e tyre por deri më tani nuk kanë marrë asnjë konfirmim.

“Kurrfarë konfirmimi as nga ana e Qeverisë, kemi dërguar shkresa përmes e-maili, shkresa në mënyrë fizike, përmes telefonit me kontaktuar po krejt është e kotë po kurrfarë përgjigje s’kemi prej tyre”, tha Goci nën shoqërimin e fishkëllimave të protestës.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar disa herë duke kërkuar miratimin e Ligjit të Lotarisë dhe pagat.