Punëtorët e kompanisë regjionale të mbeturinave në Pejë kërkojnë shkarkimin e bordit

Protestë e punëtorëve të kompanisë regjionale të mbeturinave në Pejë, kërkohet shkarkimi i bordit

Sindikata e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave në Pejë ka organizuar protestë para zyrave të kësaj kompanie.

Ata po kërkojnë shkarkimin e Bordit të kësaj kompanie nën pretekstin se kanë keqpërdorur.

Keqpërdorimet sipas sindikatës janë bërë për shkak të shpenzimeve financiare pa asnjë procedure ligjore.

Përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Kolina tha se protesta është organizuar me iniciativë të punëtorëve.

“Prej pasluftës e deri me sot te na nuk ka ekzistuar kurrë politika, kurrë, deri në ardhjen e këtij bordi, ky bord na futi edhe politikën”, tha Kolina.

Ai tha se punëtoret mund të pranohen në këtë kompani vetëm nëse janë të një partie politike.

“Hapin konkurse për këta legjitime, por nuk janë legjitime, e qet një gazetë, ku të nesërmen të gjitha gazetat e rajonit të Pejës i blejnë, kështu që askush nuk i sheh”, tha tutje.

Ai tha se bordi është i paligjshëm pasi mandati i ka skaduar më 31 janar të këtij viti.

Përfaqësuesi Kolina tha së për këtë çështje i janë drejtuar edhe instancave komunale dhe kompanisë, por që nuk kanë marrë përgjigje.

“Këta na kanë thënë se nuk na njohin si sindikate, kështu që na dojmë me ju tregu që na ekzistojmë për të mirën e punëtorëve”, shtoi tutje Kolina.

“Ne jemi ndërmarrje vetëfinancuese, kontribuojmë të gjithë, andaj dojmë me ditë çdo cent ku shkon”, tha për fund Kolina.