KEDS - Foto: KALLXO.com

Punëtorët e KEDS kërkojnë rritje të pagave

Federata e Sindikatave të Pavarura “ElektroKosova” ka kërkuar ngritje të pagave për punëtorët e kompanisë KEDS.

Përmes një njoftimi në rrjetin Facebook bëhet e ditur se qysh prej privatizimit të kësaj ndërmarrje, ngritje pagash ka pasur vetëm një herë.

“Prej vitit 2013 kur është privatizuar ndërmarrja për distribuimin e energjisë elektrike (KEDS), punëtorët kanë pasur ngritje page vetëm një herë, ne vitin 2018”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, me ngritjen e çmimeve në muajt e fundit, ngritja e pagave është domosdoshmëri.

“Gjatë muajve të fundit secili jemi dëshmitarë të ngritjes së çmimeve të shportës së secilës familje. Shto kësaj edhe ngritjen e vazhdueshme të çmimeve ndër vite, për punëtorët e KEDS/Kesco, ngritja e pagave është domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë”, thuhet tutje në njoftim.

Sindikata e pavarur “ElektroKosova” tutje potencoi se përmes shkresave zyrtare i kanë njoftuar të gjithë deputetët e Kuvendit dhe gjithë kabinetin qeveritar në lidhje me kërkesën e tyre për ngritje page.

Po ashtu, tek deputetet kanë përcjellë edhe shqetësimin se bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk i ka takuar as për sqarim.