Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Punëtorët e KEDS e KESCO paralajmërojnë grevë 3 ditore, kërkojnë rritje të pagës për 100 euro

Federata e Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE) ka njoftuar se do të mbajë grevë tre ditore: më 11, 12 dhe 13 maj para objekteve të KEDS/KESCO.

Punëtoret e KEDS e KESCO po kërkojnë rritje të pagës për 100 euro.

Sipas njoftimit, greva e 11 majit do të fillojë nga ora 08:30 deri në 09:30, greva e 12 majit do të fillojë në ora 08:30 deri në 10:30, ndërsa greva e 13 majit do të fillojë nga ora 08:30 deri në ora 11:30.

“Të gjithë punonjësit anëtar të sindikatës së FSPE, në të gjitha Distriktet në nivel vendi, ngritën në grevë për datat 11, 12 dhe 13 maj 2022. Me dt 11 maj 2022 greva do të filloj nga ora 08:30 deri në 09:30, me dt. 12 maj 2022 greva do të fillojë në ora 08:30 deri në 10:30 dhe me dt. 13 maj 2022 greva fillon në ora 08:30 deri në 11:30. Greva do të mbahet para objekteve të KEDS/KESCO”, njofton FSPE.

Sipas njoftimit, pas mbledhjes së Këshillit Grevist, FSPE ka finalizuar kërkesat dhe njoftimin për menaxhmentin dhe institucionet relevante për aktivitetin e grevës me kërkesën e vetme që sipas tyre është për ngritjen e pagave për punëtorët.

Tutje, në njoftim bëhet e ditur se në grevë nuk do të përfshihen punonjës të cilët me mos prezencën e tyre do të rrezikonin vet ekzistencën e KEDS/KESCO.

Në grevë nuk do të përfshihen punonjës të cilët me mos prezencën e tyre do të rrezikonin vet ekzistencën e KEDS/KESCO, siç janë: Qendra Dispiqerike, Shërbimet- ekipet e përfshirjeve emergjente dhe Qendra e thirrjeve”, bën të ditur FSPE.

Në anën tjetër, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se me datën 12 maj do të mbajnë grevë 1 orësh, për të punësuarit e sektorit publik, ndërsa më 20 maj është paralajmëruar protestë.

FSPE ditë më parë kishte paralajmëruar që do të mbante grevë një orësh me 11 maj.

Në njoftimin e tyre FSPE kishte bërë të ditur se këtë vendim e kishin marrë pas refuzimit të menaxhmentit për realizimin e kërkesës për ngritje page në vlerë prej 100 euro.

Ndërkaq, me 8 prill BSPK kishte mbajtur një protestë në Prishtinë ku i kishte parashtruar disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës.

Paralajmërohet grevë më 11 maj në të gjitha njësitë operacionale të KEDS/Kesco