AKP. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Punëtorët e ish-ndërmarrjes '19 Qershori' kërkojnë borxhin, AKP thotë nuk i ka ende informatat për numrin final të ankesave

Rreth 100 punëtorë të ish-ndërmarrjes NSh “19 Qershori” në Podujevë po kërkojnë borxhin e pagave që u ishte thënë se do i merrnin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), kur kjo e mori në menaxhim ndërmarrjen.

Ndërmarrja ishte marrë në administrim të AKP-së në vitin 2004, dhe mori emrin ‘Euroblloku’.

Sheqir Popova, ish-punëtor i kësaj ndërmarrje thotë për KALLXO.com, se aty ka punuar për 18 vjet, por nuk iu pagua e gjithë puna.

Borxhin që ua kishte kompania këtyre punëtorëve ishte marr përsipër të paguhej nga AKP, sipas tij, ky proces po zvarritet tash e 18 vjet.

Ai shtoi se nga mbi 2,000 euro që ia ka borxh ndërmarrja, vetëm një përqindje e vogël i është ndarë në vitin 2017.

“Kur është marr ndërmarrja nga AKP na kanë thënë që i marrin përsipër pagesën e borxheve, neve na është dhënë vetëm një përqindje e vogël në vitin 2017, mua personalisht mi kan borxh ende disa paga”, ka thënë Popova.

Ai shtoi se kanë bërë ankesë tek avokati i Popullit, Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut dhe Kryeministri lidhur me pagesën e këtij borxhi.

Në vitin 2017, AKP ndau një përqindje të pagesës edhe për ish-punëtorët tjerë të kësaj ndërmarrje.

Në një përgjigje të AKP-së për KALLXO.com bëhet e ditur se nga viti 2005 ndërmarrja është vendosur në proces të likuidimit.

“Ndërmarrja Shoqërore ’19 Qershori’ administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe që nga data 24 gusht 2005 është vendosur në proces të likuidimit. Ky proces menaxhohet nga Autoriteti i Likuidimit i emëruar sipas Ligjit të AKP-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas departamentit për marrëdhënie me publikun, gjatë procesit të likudimit kanë marr shumë ankesa.

“Gjatë procesit të likuidimit janë pranuar 394 kërkesa kreditore përfshirë këtu edhe kërkesat e ish punëtorëve të kësaj ndërmarrje të cilët kanë kërkuar pagat e papaguara për periudha të caktuara kohore”.

Sipas AKP-së shpërnadarja e parë e pagesave është bërë në vitin 2017.

“Pas shqyrtimit të këtyre kërkesave, janë miratuar 302 kërkesa kreditore (në vlerën 496,304) ndërsa janë refuzuar 90 kërkesa kreditore (në vlerën 1,350,969). Shpërndarja e parë e mjeteve për kreditorët respektivisht për punëtorët e NSH “19 Qershori” është kryer në dhjetor të vitit 2017 në shumën totale prej 39,411 euro”, thuhet nga AKP.

Sa i përket shpërndarjes së mjeteve, nga AKP thonë sa kanë vepruar në përputhje me ligjin.

“Kur bëhet fjalë për shpërndarjen e mjeteve, duhet pasur parasysh se AKP në rastin konkret ka vepruar në përputhje me Ligjin e AKP-së, Shtojca e Ligjit, Neni 41:

“Përmbushja e kërkesave dhe interesave, (citojmë): Nëse resurset janë të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat e një kategorie të caktuar, duke përfshirë mbulimin për rezervimet e bëra nga Autoriteti i Likuidimit për kërkesat e kontestuara të një kategorie apo renditje, Autoriteti i Likuidimit mund të propozojë shpërndarjen e përkohshme në këto kategori të kreditorëve para Bordit;”,  si dhe Nenin 42. Fondet Rezervë ku thuhet se: “Me aprovim të Bordit, fondet likuide, paratë apo asetet e tjera mund të ndahen nga Autoriteti i Likuidimit në llogari të ndarë të dorëzanisë të mbajtur nga Agjencia për përmbushje të: 1.1. Kërkesave që janë në kontestim dhe që ende nuk janë zgjidhur nga Gjykata;”, thuhet tutje nga AKP.

Nga Agjencia e Privatizimit potencojnë se pagesat e vitit 2017 ka qenë të parakoshme, pasi autoriteti i likudimit nuk i ka ende informatat për numrin final të ankesave të dorëzuara në Dhomën e Posaqme të Gjykatës Supreme.

“Pra, kjo shpërndarje e vitit 2017 është e parakohshme, sepse Autoritetit i Likuidimit/AKP nuk i ka ende informatat për numrin final të ankesave të dorëzuara në Dhomën e Posaçme, në mënyrë që të analizohet nëse mund të bëhet shpërndarje e përkohshme e pjesshme sipas nenit 41, paragrafi 4 i Shtojcës së Ligjit të AKP-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas tyre, AKP është në kontakt me Gjykatën Superme për të pranuar këtë listë ku më pas me prioritet do i analizojë mundësitë për shpërnadje të pagesave.

“AKP është në kontakt me Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për të pranuar listën e ankesave aktuale ndaj kësaj ndërmarrjeje. Posa të merret kjo listë, atëherë AKP do të analizoj me prioritet mundësinë e shpërndarjes së pagesave për punëtorët e NSH 19 Qershori Podujevë”, është thënë nga AKP.

Lidhur me këto pageasa, ish-punëtorët i janë drejtuar edhe Avokatit të Popullit.

Në një përgjgiije të Dhomës së Posaqme në Gjykatën Supreme për Avokatin e Popullit, Naim Qelaj thuhet se këtë dhomë janë 25 lëndë aktive për NSh”19 qershori”, duke potencuar se lëndët trajtohen sipas viteve.

“Në zyrën e regjistrimt të Dhomës së Posaqme të Gjykatës Supreme, DHPGJS, në regjistra janë 25 lëndë aktive për NSh “Qershori”, siç jeni në dijeni 570 ndërmarrje janë në likuidim dhe të gjitha thuajse kanë lëndë në procedurë anadaj DHPGJS-ja i trajton lëndët sipas viteve”, thuhet nga gjykata.

Tutje, nga gjykata supeme bëhet e ditur se lëndët për ndërmarrjen janë të ndara te gjyqtarët përkatës, por këta të fundit janë të ngarkuar edhe me lëndë më të vjetra se kjo.

“Sa i përket lëndëve të Nsh “19 Qershori” janë të ndara në punë të gjyqtarët përkatës, por gjyqtarët e DHPGJS janë të ngarkuar edhe me lëndë më të vjetra se këto lëndë. Zyra e menaxhimit të lëndëve në DHPGJS jep informata në baza ditore ku i dërgon lista AKP-së për të pasur më të lehtë shpërndarjen e mjeteve të mbetura për kreditorët e NSH-vë”, thuhet tutje nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.