Punëtorët e ish fabrikës 'Përparimi' kërkojnë para nga shuma e qirave të objekteve, AKP del me sqarim

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Punëtorët e ndërmarrjes shoqërore NSH ‘Përparimi’ (ish Napredaku) po ankohen lidhur me mosmarrjen e një shume të parave nga të hyrat e qirave pas marrjes nën administrim të objekteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe futjes së kësaj ndërmarrje në proces likuidimi.

Mbi 50 punëtorë të kësaj ndërmarrje thonë se deri në vitin 2017 kanë marr pagë prej 40 euro kurse, prej kur është futur në proces likuidimi janë jashtë marrëdhënies së punës.

Ish punëtorët janë të brengosur lidhur me pagesën e qirave nga hapësira që ka shfrytëzuar EULEX para se ajo të merrej nga AKP.

Ata po kërkojnë që kjo shumë e qirave, sipas tyre 700 mijë euro, t’u ndahet edhe punëtorëve të ish ndërmarrjes.

Bukurije Tahiri, ish punëtore e kësaj ndërmarrje deklaron se nga viti 2017 janë jashtë marrëdhënies së punës.

“Ne 55 punëtorët kemi marr nga një pagë prej 40 euorve deri në vitin 2017, në vitin 2017 AKP e ka marr në menaxhim ndërmarrjen dhe prej atëherë jemi jashtë marrëdhënies së punës. Jemi të brengosur për punën e e qirave, pasi atë pagë e kemi marr prej qirave. Prej se e ka marr AKP më nuk kemi pasur të ardhura”- tha ajo.

Tahiri tutje shtoi se AKP i ka lëshuar me qira EULEX-it fabrikën tek zona industriale dhe prej asaj pagese nuk kanë marr asgjë si punëtorë.

“Qiraja është lëshuar në kohën kur ne kemi pasur të drejtë të marrim nga ajo qera dhe është uzurpuar prej AKP-së. Ata nuk kanë të drejtë që nga 700 mijë euro të ndajnë vetëm 20% për ne, pasi atëherë nuk kanë qenë në menaxhim të AKP-së”- shtoi ajo.

Xhelil Zullufi, po ashtu ish punëtor i kësaj fabrike tha se kanë marrr edhe avokat lidhur me pagesat e qirave, që sipas tij, u takojnë.

“Këtu ka qenë  EULEX nga viti 2008-2012, ne kemi marr një avokat ndërkombëtar, AKP e ka ndërprerë atë qera diku në vitin 2016. EULEX na ka thënë le të na jep dritën e verdhë AKP dhe ne i lëshojmë paratë” -ka deklaruar ai.

Derisa, Agjencia Kosovare e Privatizimit për Kallxo.com kanë bërë të ditur se pas futjes së kësaj ndërmarrje në proces të likudimit, nuk ka pas ndonjë marrëvehsje me punëtorët.

“Nuk ka pasur ndonjë marrëveshje me punëtorët e kësaj ndërmarrje! AKP respektivisht Autoriteti i Likuidimit për NSH “Përparimi /Napredak” ka vepruar konform Ligjit për AKP-në përkatësisht ka iniciuar procedurën e likuidimit konform Shtojcës së Ligjit për AKP-në”- thuhet në përgjigjen e tyre.

SHTOJCA e Ligjit Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT – Neni 8. i kësaj Shtojce Anulimi i të gjitha kontratave të punës thotë (citojmë): Në mesnatën e Datës së Vendimit për Likuidim prishen të gjitha kontratat e punës që kanë qenë në fuqi deri atëherë ndërmjet ndërmarrjes dhe punonjësve të saj, nëse të tilla ekzistojnë. 

Pra, me futjen në likuidim të kësaj ndërmarrje, të gjithë  punëtorëve u janë ndërprerë kontratat e punës.

Nga AKP bëjnë të ditur se ish punëtorët nuk kanë të drejtë në pagesa të qirave sepse nuk janë më punëtorë të ndërmarrjes prej ku ka nisur procesi i likuidimit.

“Punëtorët nuk kanë të drejtë në pagesat e qirave të objekteve sepse nuk janë më punëtorë të ndërmarrjes që nga dita kur NSH ka hyrë në proces të likuidimit. Mjetet e inkasuara nga qiratë bashkë me të hyrat tjera, në rast se do të ketë suficit mjetesh, pas finalizimit të procesit të likuidimit (Me vendim të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme) dhe kompensimit të të gjithë kreditorëve, do t`i barten apo transferohen buxhetit të Republikës së Kosovës”- thuhet nga AKP.

Sa i përket fabrikës së tapicerive në zonën industriale, AKP thonë se EULEX nuk ka bërë ndonjë pagesë në emër të shfrytëzimit të kësaj prone.

“Sa i përket fabrikës së tapicerive, objekti me tokë (oborr), menjëherë pas luftës apo qershorit `99, është shfrytëzuar nga KFOR-i e më pastaj nga Policia e EULEX me lejen e UNMIK-ut. AKP nuk ka pasur kurrë marrëveshje as me EULEX e as me UNMIK-un! Deri më sot, EULEX nuk kanë bërë ndonjë pagesë në emër të shfrytëzimit të kësaj prone”- thuhet në përgjigje.

Nga AKP u potencua se janë duke u përpjekur që të nxjerin ndonjë kompenzim nga EULEX për shfrytëzimin e pronës. Derisa, aktualisht prona është e lëshuar me qira dhe administrohet nga autoriteti i likuidmit.

“AKP ka bërë përpjekje dhe është duke tentuar edhe më tutje që ta diskutoj e mundësisht edhe negocioj këtë çështje me EULEX-in, respektivisht të nxjerrë ndonjë kompensim për shfrytëzimin e pronës për periudhën nga qershori `99 e deri kur ish punëtorëve të ndërmarrjes ju është dorëzuar në posedim kjo pronë nga EULEX. Deri më sot, ende nuk është arritur të diskutohet kjo çështje në mes të AKP dhe EULEX. Aktualisht, kjo pronë është lëshuar me qira dhe administrohet nga AKP/Autoriteti i Likuidimit”- thuhet me tej nga AKP.

Ndërmarrja Shoqërore (NSH) “Përparimi” (ish Napredak) administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). 

Ish Napredaku (fabrika e mobiljeve) ka pasur hapësirën në ‘Pejton’ që tani përdoret kryesisht për parking dhe pjesën tjetër të fabrikës tek zona industriale, deri vonë e shfrytëzuar nga EULEX.

Pas luftës, kjo NSH me asetet e saj është menaxhuar nga ish punëtorët e saj ndërsa nga viti 2002 kur është themeluar Agjencia Kosovare e Mirëbesimit /AKP, ish punëtorët kanë menaxhuar nën kompetencat administruese të AKP-së.

 Ndërmarrja nuk ka operuar apo nuk ka zhvilluar aktivitetin e saj primar përveçse ka lëshuar asetet e saj me qira. Punëtorët e kësaj NSH-je kanë ndarë të hyrat nga qiraja ndërsa vetëm një pjesë e tyre janë angazhuar kryesisht në ruajtjen e objekteve dhe disa në administratë.

 Më datë 12.06.2017, me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së kjo ndërmarrje është futur në proces të likuidimit dhe ky proces menaxhohet nga Autoriteti i Likuidimit (AL) nën kompetencat administrative të AKP-së.