Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Punëtorët e higjienës në Spitalin e Gjakovës nuk i marrin pagat shtesë, paralajmërojnë grevë për të hënën

Punëtorët e higjienës në Spitalin e Gjakovës kanë paralajmëruar grevë 24 orëshe për ditën e hënë si shenjë revolte që nuk i kanë marrë pagat shtesë në bazë të ligjit Anti-Covid.

Nënkryetarja e Sindikatës së punëtorëve të higjienës në Spitalin e Gjakovës Sakibe Hoti ka treguar për KALLXO.com se pagat shtesë nuk i kanë marrë që nga muaji korrik në shumën prej 100 eurosh.

“Ne jemi momentalisht në grevë 2 orëshe dhe që nga e hëna do të hyjmë në grevë 24 orëshe. Ne jemi disa që jemi të parët që jemi në kontakt me personat me COVID-19 dhe nuk është e drejt kjo parregullsi”, ka thënë Hoti.

KALLXO.com më pas ka kontaktuar edhe drejtorin e Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, i cili ka treguar se punëtorët e higjienës në spital janë të angazhuar përmes një kompanie private dhe Spitali në këtë rast nuk ka kompetenca në rrogat e tyre.

Më tej Shala ka thënë se këta punëtorë janë të parët që kanë kontakt me pacientët e prekur me COVID-19.

“Punëtorëve që kanë shërbyer te pacientët me COVID-19 ju takon rroga shtesë sepse ju kanë shërbyer pacientëve me COVID-19 sepse janë të parët që kanë kontakt me të shtruarit edhe para infermierëve e para mjekëve. Duhet t’i marrin këto të holla”, është shprehur Shala.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe operatorin ekonomik i cili është kontraktuar të ofrojë këtë shërbim për spitlin dhe të njëjtit kanë thënë se i mbështesin punëtorët deri në marrjen e mjeteve që atyre ju takojnë.

Valmira Bujupi, përfaqësuese e kompanisë ERIK Sh.P.K ka thënë se të gjitha listat e punëtorëve tashmë janë përcjellë në Spitalin Regjional nga ana e kompanisë.

“Nuk ka bazë ligjore që na lejon neve si operator privat të aplikojmë për shtesat e punëtorëve. Me rastin e  Spitalit të Gjakovës ne i kemi dërguar listat, ndonëse edhe ata na kanë konfirmuar që listat kanë shkuar me vonesë në Ministri të Shëndetësisë. Ne do t’i mbështesim punëtorët tanë sepse ju takon pasi kanë të bëjnë direkt me punëtorët me COVID-19”, ka thënë Bujupi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave dhe ende është në pritje të përgjigjes së tyre.

Kryeministri i Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK), kanë arritur marrëveshje  në fund të muajit tetor për pagesat shtesë për të punësuarit në institucionet publike shëndetësore të Republikës së Kosovës, në sistemin primar, sekondar dhe terciar, deri në fund të vitit 2020, bazuar në ligjin AntiCovid.

Sipas kësaj marrëveshje, mjekët do të marrin 250 euro në muaj, infermierët – 150 euro në muaj, stafi mbështetës – 100 euro në muaj.

Këto pagesa do të jenë prej muajit shtator e deri në muajin dhjetor të këtij viti.

Në komunikatën e kryeministrisë thuhej që kryeministri Hoti është zotuar se Qeveria në afat shumë të shkurtër kohor do të kryej edhe pagesat shtesë për stafin mbështesë, për muajit korrik dhe gusht të këtij viti.

Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Qeveria arrijnë marrëveshje për pagesat shtesë për punëtorët shëndetësorë