Punëtoret e ATK-së në grevë 1 orëshe, bojkotohet puna me palë

Punëtoret e Administratës Tatimore të Kosovës e kanë bojkotuar për 1 orë punën me tatimpagues në të gjitha drejtoritë.

Bojkotimi erdhi pasi ditë më parë, sindikata e punëtorëve të ATK-së njoftoi për grevën paralajmëruese si rezultat i mos realizimit të kërkesave të punëtoreve të ATK-së.

Lajmin për fillimin e grevës 1 orëshe e ka konfirmuar Arlinda Bajra, përfaqësuese e sindikalistëve të ATK-së.

“Greva është duke u mbajt në të gjitha drejtoritë e ATK-së, është grevë paralajmëruese dhe është bojkotuar vetëm puna me palë”, tha Bajra.

Ajo tha se në rast se nuk do të ketë reflektim dhe nuk do të realizohen kërkesat e tyre do të futen në grevë të përgjithshme.

“Do të ju japim një lloj afati për reflektim nga Qeveria, pastaj në qoftë se nuk ka reflektim për të bërë zgjidhje për kërkesat tona, do të futemi në grevë të përgjithshme”, tha Bajra.

Ditë më parë sindikata e punëtorëve të ATK-së, kishte paralajmëruar se do të mbajë grevë një orëshe, duke i ndërprerë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit.

Sindikata e punëtorëve të ATK-së, kërkon kompensimin e shpenzimeve dhe përfshirjes në pakon fiskale e të gjithë stafit.

Kjo sindikatë ka kërkuar edhe që të ndryshohet statusi i ATK-së nga agjenci ekzekutive në “Agjenci me status të veçantë”.