Punëtorët e Aeroportit do të protestojnë për kushtet e punës

Më 8 gusht  do të mbahet një protestë nga punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kështu ka njoftuar në një konferencë për medie kryetari i Sindikatës së punëtorëve në aeroport, Bashkim Latifi.

Sipas tij, kushtet në të cilat punojnë punëtorët e aeroportit të Prishtinës janë jo të mira.

“Në çdo sektor në aeroport ka diskriminim në paga, madje punëtoret nuk guxojnë as të tregojnë. Orët e punës gjatë vikendeve, të shtunës dhe të dielës, duhet të paguhen sipas ligjeve, sepse gjatë kësaj kohe rritet fluksi i udhëtarëve. Kërkesë kemi edhe për një shujtë, më herët i kemi marrë nga 10 euro në ditë për ushqim ndërsa tash jo. Tash ushqimin e blejmë vetë”, tha Latifaj para gazetarëve të martën.

Tutje, kryetari Bashkim Latifi tha se që nga data 13 mars i kanë dorëzuar te menaxhmenti i aeroportit edhe me shkrim kërkesat e punëtorëve të cilat janë pesë, por janë injoruar.

“Kompensimi dhe benefitet për rrezikshmëri, të eliminohen dallimet në pagë në rastet kur punëtorët kanë detyra të njëjta të punës, pagesa për përvojën e punës, të paguhen orët gjatë vikendeve dhe të kenë punëtorët një shujtë”, tha ai.

Ndërsa, avokati të cilin sindikata e ka angazhuar që t’i mbrojë të drejtat e tyre, Tomë Gashi, tha se kjo konferencë është thirr me qëllimin që protesta mos të shndërrohet në grevë të përgjithshme.

“Aeroporti u jep rroga të ulta punëtorëve, punëtoret duhet të marrin paga të dinjitetshme që të jetojnë. Aty ka punëtorë i cili paguhet nga 200 euro. Aeroporti e ka kërcënuar me shkrim z. Bashkim Latifajn për te mos organizuar protestën e 8 gushtit. Nëse ndalohet mos organizohet protesta po i bie se kemi një kompani diktatoriale. Kompania ka fitime qindra milionëshe ndërsa punëtoret trajtohen në një formë të skllavërisë moderne”, tha avokati Tomë Gashi.

Ndërsa, nënkryetari i sindikatës Driton Ademaj tha se vetëm në aeroportin e Prishtinës zjarrfikësit nuk marrin kompensimin e rrezikshmërisë në punë.

Protesta e cila do të mbahen të enjten në mëngjes nuk do të ndërpres punën në aeroport. Sipas organizatorëve, menaxhmenti i aeroportit duhet të reflektoj ndaj kërkesave të tyre.

Me këto konstatime nuk janë pajtuar nga zyra për medie në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Valentina Gara, zëdhënëse në këtë aeroport ka thënë se kërkesat e paraqitura sot nga sindikata e punëtoreve nuk jan të bazuara në ligjin e punës dhe nuk përkojnë me realitetin.

Ndërsa, ajo ka thënë se sa herë që sindikata ka drejtuar kërkesa në menaxhment, kanë marrë përgjigje me shkrim dhe nuk janë injoruar kërkesat e tyre.

“Në interpretimin ligjor dërguar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale te sindikata,  shihet qartë se kompania jonë nuk ka bërë asnjë shkelje të ligjit të punës. Si për shembull, secili punonjës ka dy ditë pushim në javë, dhe pushimi me pagesën shtese për pune gjatë fundjavës sipas ligjit nuk përkojnë me njëra tjetrën. Sa i përket kujdestarisë, ne nuk kemi orë kujdestarie(24 ore), ndërkaq për ndërrimet e natës dhe festat zyrtare, punonjësit kompensohen sipas ligjit”, ka deklaruar ajo në një përgjigje për KALLXO.com.

“Shpifjet publike për shkeljet e te drejtave te punonjësve janë për keqardhje dhe na habisin për faktin se sigurimi shëndetësor, qasja me pije pa kufi për të gjithë punonjësit (uje, kafe, qaj) si dhe transport i rregulluar për punonjës bhet ne baza vullnetare nga kompania duke rezultuar ne shpenzime prej miliona eurosh vetëm në sigurime shëndetësore edhe pse kompania nuk është e obliguar me ligj”, thuhet tutje në përgjigjen e zyrës për media në Aeroportin e Prishtinës.

Ajo prërfundoi duke thënë se ndien “obligim të ua përkujtojnë punonjësve që me rastin e shkeljes së kontratës me punëdhënësin do të merren masa disiplinore sidomos në raste kur kërcënohet siguria e udhëtareve tanë”, thuhet në fund të përgjigjes nga Aeroporti ndaj deklarimeve të Sindikatës së punëtorëve.