Punësohet në arsim gruaja e asamblistit të LVV-së në Podujevë

Gruaja e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës, Artrit Mulliqi, ka marrë kontratë pune nga Komuna që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Vetë asamblisti Mulliqi e pranoi se gruaja e tij u punësua si mësimdhënëse së fundmi por e mohoi të ketë ndikuar ai që ajo të sigurojë kontratë pune nga ekzekutivi lokal në Podujevë.

Përveç gruas, si mësimdhënëse punon edhe motra e Artrit Mulliqit në njërën prej shkollave të komunës së Podujevës. Por, ai tha se motra e tij është punësuar më herët, kur ai nuk ka qenë asamblist i zgjedhur.

“Motra është e punësuar prej 2011-tës, e ka pasë një shkëputje deri në vitin 2019 ose 2020. Gruaja ka marrë pjesë në një konkurs, është pranuar në punë me një gjysmë norme”, tha Mulliqi në një deklarim për KALLXO.com.

Mulliqi ka thënë se nuk bëhet fjalë për favorizime por më shumë mund të jetë një lufte e brendshme. Tutje, Artrit Mulliqi ka shpjeguar edhe kohën kur është punësuar motra dhe gruaja.

“Nuk kam pasur mundësi me ndiku unë, sepse kur është punësuar motra, unë s’kam qenë në politikë hiç. Por edhe kur është punuar herën e dytë, unë s’kam qenë as asamblist as kurrgjë, kështu që s’kam pasë si me ndiku. Kjo është një luftë më shumë politike”, tha ai.

“Gruaja, me pasë kanë me ndiku unë, është me gjysmë norme domethënë…plus punon nëpër fshatra, 14 kilometra larg, s’ka kurrfarë kuptimi kjo veç. Unë mendoj që është një luftë e brendshme, se nuk bëhet fjalë për favorizime”, deklaroi Mulliqi.

Shpejtim Bulliqi dhe Artrit Mulliqi, Foto: Facebook