Menaxhmeti i ndërmarrjes "Trepça" 26.08.2024 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Punësimi i vëllait si shofer personal, çfarë deklaroi para gjykatës zyrtari i Trepçës

Kryetari i komisionit për rekrutim Haxhi Ujkani, anëtarët e komisionit Qemail Bajrami dhe Sabit Islami akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën duke pranuar në punë si “vozitës i menaxherit të ndërmarrjes Trepça Sh.A.” vëllanë e Xhevdet Tahirit, ushtruesit të detyrës së menaxherit (në vitin 2019) në Trepçë, në kundërshtim me dispozitat ligjore, gjë për të cilën nuk e kanë pranuar fajin.

Se e konsiderojnë veten të pafajshëm janë shprehur në seancën fillestare e cila u mbajt më 27.08.2024 në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Xhevdet Tahiri, Haxhi Ujkani, Qemail Bajrami dhe Sabit Islami.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar avokatët e secilit të akuzuar.

Avokati  Xhelal Hasani ka thënë se pala ai tij, Xhevdet Tahiri është deklaruar i pafajshëm.

“Po e vërtetë. Ëshë deklaru i pafajshëm. Për të dyja veprat, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe konflikti i interesit. Ai sot e ka tërhek autorizimin prej meje. Unë nesër e dorëzoj në gjykatë. Nuk e di arsyen por e ka tërhek. Gjyqtari na ka dhënë afat 20 ditë me kundërshtu aktakuzën, tash avokatit që e angazhon i thashë (palës) me i tregu që i ka 20 ditë”- ka thënë Hasani.

“Jam deklaruar i pafajshëm dhe e ndjej veten plotësisht të pafajshëm”- tha Xhevdet Tahiri për KALLXO.com më 28.08.2024.

I pafajshëm është deklaruar edhe anëtari i komisionit, Qemail Bajrami sipas avokatit të tij, Vehbi Beqirit.

“Është deklaruar i pafajshëm. Qemail Bajrami ka qenë në komision asokohe”- ka thënë Beqiri.

Qemail Bajrami theksoi se në vitin 2019  ishte pjesë e komisionit kur vëllai i drejtorit të Departamentit të Shërbimit Teknik, Gjeodezisë dhe Përgatitjes minerale në Ndërmarrjen “Trepça” e që asokohohe ishte në krye të menaxhmentit, Xhevdet Tahirit, u pranua si shofer i tij personal.

“E ka marrë ai (Xhevdet Tahiri) vëllaun e tij në punë, vozitës. Na kanë caktu neve komision. Na se kemi ditë që u kon tetë ditë, është dashtë pesëmbëdhjetë. Edhe s’ka pasë tjetër kandidat veç qiky u kanë. Ai njeri u pranu në punë. Na e kemi vlerësu vetëm a ka leje dhe a din me vozit”- deklaroi Bajrami për KALLXO.com.

Se është deklaruar i pafajshëm para gjykatës e ka konfirmuar edhe Leutrim Ademi për palën e tij Sabit Islamin.

Edhe avokati i Haxhi Ujkanit, Muharrem Ramadani potencoi se klienti e tij u deklarua i pafajshëm.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 02.04.2024 ka ngritur aktakuzë kundër Haxhi Ujkanit, Qemail Bajramit, Sabit Islamit dhe Xhevdet Tahirit.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Haxhi Ujkani, Qemail Bajrami e Sabit Islami, kanë përpiluar dhe nënshkuar raportin Nr.792 për propozimin e kandidatit të vetëm, Agron Tahiri në pozitën e “vozitësit të menaxherit të ndërmarrjes”.

Të njëjtit thuhet se kanë qenë në dijeni se në këtë rast duhet të përsëritet konkursi pasi nuk kanë qenë së paku tre kandidatë që i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs dhe se nuk është mbajtur testi me shkrim, as intervista me gojë.

Për veprimet e lartcekura, të akuzuarit Haxhi Ujkani, Qemail Bajrami dhe Sabit Islami cilësohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa i akuzuari Xhevdet Tahiri, në mars dhe prill të vitit 2019, ishte në pozitën e ushtruesit të detyrës së menaxherit të Ndërmarrjes “Trepça” Sh.A”. Në aktakuzë thuhet se ai me dashje nuk i ka përfillur dispozitat ligjore të nenit 8, paragrafi 2 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, dhe nenin 5, par.1, nënpar.1.7, nenin 6, par.5 nënpar.5.1, nenin 9, nenin 10 dhe nenin 11 të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Kështu duke i tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare.

KALLXO.com ka raportuar më 19.08.2024 se drejtori i shërbimit teknik-gjeodezik, përgatitjes në minierë në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, Xhevdet Tahiri është larguar nga puna përkohësisht.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Tahiri.

“Arsyeja është kjo… unë akuzohem për një vepër penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Mendoj që nuk është vepër penale por ka pasë shkelje procedurale në vitin 2019, është hap një konkurs për shofer timin personal. Në konkurs ka qenë një kandidat dhe ai ka qenë vëllai im. Unë kam ba vetëm kërkesë te bordi mbikëqyrës, një shofer personal. Është hap konkursi, konkursi ka qenë publik, transparent edhe të gjitha procedurat kanë kaluar në burime njerëzore dhe në zyrën ligjore” – ka thënë Tahiri.

Tahiri nuk e konsideron si shkelje një veprim të tillë.

“Unë s’e kam shti në punë kërkon, vetëm kam bërë kërkesë. Në vitin 2019, te unë ka punu 3 muaj. Kam qenë në pozitë udhëheqëse. Në vitin 2019, 2020, 2021 është bërë auditimi i brendshëm dhe i jashtëm, asnjëherë nuk e kanë gjet këtë si shkelje ligjore edhe nuk ka pasë vërejtje”- tha tutje ai.

Zyrtari i Trepçës suspendohet nga puna, thotë se shkaktar u bë punësimi i vëllait të tij si shofer personal