Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Punësimi i këshilltarit që ishte arrestuar për drogë, kërkohet dorëheqja e Selim Selimit

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe këshilltari i ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimit.

Kjo pasi sot u publikua informacioni se Ministri e kishte të punësuar si këshilltar Enis Qerkën, i cili ishte arrestuar në vitin 2018 nën dyshimin për posedim të drogës

Pas kësaj, ministri ka liruar nga detyra këshilltarin.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook tha se në një shtet normal “ministri duhet të jepte dorëheqje”.

“Sot, Ministri që këshillohej nga ai që ishte zënë me 113 kg drogë, paska thënë që pas raportimit në medie e ka liruar nga detyra këshilltarin. Pra meqë mediat paskan raportuar se përndryshe as nuk do të bëhej fjalë për lirimin e tij. Si ka mundësi që vendos nënshkrimin për një këshilltar që nuk e di se kush është?”, ka shtuar ajo.

Haxhiu në fund ka thënë se në faqen e Ministrisë së Drejtësisë janë vendimet për këshilltarët tjerë por jo edhe për Qerkën.

“Kjo vërteton që Ministri e ka ditur por nuk u thotë JO atyre që e kanë vendosur në krye të Ministrisë”, ka thënë në fund ajo.

Reagim pati edhe nga ana e këshilltarit të ish-ministrit, Behgjet Pacolli, Naim Murseli, që po ashtu kërkoi dorëheqjen e Selim Selimit.

“ Ministri është mirë ta lirojë veten po ashtu. Po të mos ishte raportuar nga Koha Ditore, ai do të vazhdonte detyrën e tij. Minstri sigurisht që ishte i informuar për të kaluarën e tij kriminale”, ka shkruar Murseli në Facebook.

Sot, ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Selim Selimi ka njoftuar se ka liruar nga detyra këshilltarin e tij Enis Qerka.

Enis Qerka ishte arrestuar në vitin 2018 së bashku me një grup nën dyshimin se është kapur me 113 kilogramë narkotikë, që dyshohet të jetë heroinë.

Ky grup dyshohej për përfshirje në dhënien e ndihmës personave të cilëve nga Policia e Kosovës u janë gjetur tri valixhe me substanca narkotike që dyshohet të jetë heroinë. Sasia e drogës e kapur nga forcat e rendit të Kosovës është 113 kilogramë.

Dyshimet për drogë, lirohet punëtori i Byrosë së Sigurimeve

.