Punësimet mbi baza partiake në prag të zgjedhjeve një hap para premtimeve të liderëve se 'do ta luftojnë nepotizmin'

Krahas zotimeve të liderëve të partive politike e kandidatëve për kryeministër të vendit për zgjedhjet e 6 tetorit, se: ‘do ta luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin’, punësimet mbi baza partiake në institucionet e vendit nuk kanë të ndalur.

Konkurse të shumta janë hapur nëpër ministri të ndryshme e institucione tjera në nivel vendi dhe punësimet mbi baza partiake dhe atë të nepotizmit nuk kanë të ndalur.

KALLXO.com vetëm gjatë kësaj jave raportoi për disa punësime mbi baza partiake nëpër institucionet publike.

KALLXO.com raportoi se në mesin e 20 inspektorëve tatimorë të punësuar në Administratën Tatimore është edhe Afrim Tahiri.

KALLXO.com ka gjetur se i punësuari në ATK kishte një fotografi me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Fotografia e Tahirit me Veselin është publikuar në profilin e tij në Facebook. KALLXO.com ka kontaktuar me Tahirin përmes numrin kontaktues që kishte lënë në profilin e tij “Facebook” ku ishte e publikuar foto me Veselin.

Tahiri e ka konfirmuar se është pranuar inspektor tatimor në ATK, përmes konkursit të fundit në të cilin ishin pranuar edhe 19 inspektorë të tjerë.

I punësuari rishtazi inspektor në ATK, në foto me Kadri Veselin

Rast tjetër i punësimit mbi baza partiake, është edhe ai Betim Ahmetit në një shkollë të Komunës së Fushë Kosovës e cila udhëhiqet nga Burim Berisha i LDK-së.

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha do ta ketë një votë më shumë në asamble.

Betim Ahmeti që ishte bërë asamblist me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka kaluar në grupin e asamblistëve të LDK-së.

Përveç ndërrimit të partisë, Ahmeti e ka marrë edhe një kontratë pune tjetër nga Komuna që udhëhiqet nga Burim Berisha i LDK-së.

Asamblisti Betim Ahmeti është punësuar sekretar në shkollën fillore “Daut Bogujevci”. Ai ka rezultuar kandidati më i suksesshëm me 69.75% të pikëve.

Pazaret me punësime për vota në Komunën e LDK-së

Punësime mbi baza partiake në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit pati edhe në komunën e Prishtinës, e cila qeveriset nga Shpend Ahmeti nga PSD, partia e të cilit garon në koalicion me AAK-në në zgjedhjet e 6 tetorit.

Komuna e Prishtinës me 12 korrik të këtij viti kishte shpallur konkurs, ndër të tjera, edhe për mësimdhënës të gjuhës angleze. Konkursi ishte i vlefshëm për një vend të lirë dhe një zëvendësim.

Njoftimi përfundimtar për këtë konkurs është publikuar me 30 gusht dhe fituese e konkursit ishte shpallur Elona Xhiha, me 77 pikë.

Xhiha është anëtare e Partisë Social Demokrate të Shpend Ahmetit.

Anëtarja e PSD-së e cila u punësua siç rezultoi hulumtimi i KALLXO.com ka arritur që ta ‘mundë’ edhe një kandidate me përgatitje superiore karshi saj.

Anëtarja e PSD-së së Shpend Ahmetit mundë kandidaten me dy mastera

Gresa Bujupaj, në konkursin e Komunës së Prishtinës për mësimdhënëse të gjuhës angleze, ishte zgjedhur fituese në pozitën e zëvendësueses.

Ndonëse ajo nuk kishte aplikuar për këtë pozitë, por për pozitën mësuese e rregullt.

Ajo thotë se dyshon që kandidatja fituese ka lidhje politike.

“Dyshoj që kandidatja ka lidhje me parti, me PSD-në, për faktin se ajo vazhdimisht bën postime në Facebook, që tregojnë që e përkrah atë parti, po ashtu i dashuri i saj Lisjan Perolli është Social Media Manaxher në PSD, ndoshta është pak personale që po i përmendi këto fakte, mirëpo këto janë diçka që mund të vërtetohen në rrjetet sociale”, ka thënë Bujupaj në një intervistë për KALLXO.com.