Abdylhadi Krasniç. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Punësimet familjare - të zakonshme në Komunën e Mamushës

I ftuar në serinë e debateve “Jeta në Komunë”, kryetari Mamushës, Abdylhadi Krasniç, ka thënë se nuk kishte dhënë premtime të mëdha, “se e kemi ditë kaçikun sa e kemi”. Ai tha se se premtimet e tij janë lidhur me ujin e pijshëm, arsimin, shëndetësinë dhe pastërtinë.

Kryetari Krasniç kishte premtuar se nuk do të ketë punësimet familjare.

“Nëse je parti, nëse mbështetës i jemi je, mundesh me hy në punë, e kjo duhet me u hek”, kishte premtuar kryetari Krasniç.

Mirëpo, me të ardhur në detyrë, axha i tij është zgjedhur drejtor i shkollës së mesme “Ataturk” dhe nipi i tij është punësuar si punëtor teknik në të njëjtën shkollë.

Abdylhadi Krasniç lidhur me emërimin e axhës së tij ka thënë se ai u bë drejtor me konkurs.

Kurse për nipin e tij, djalin e hallës, tha se e ka merituar pasi që u punësua me konkurs.

Punësimet familjare apo “akraba” si i ka quajtur kryetari Krasniç janë të zakonshme në Mamushë, pasi që sipas tij nuk ka shtëpi në Mamushë që nuk janë familjarë mes vete.

“Një e shtin në punë me 10 idhnohesh”, ka thënë kryetari Krasniç lidhur me punësimet në Mamushë.

 

Në përballje me Jeta Xharrën në serinë e debateve “Jeta në Komunë”, kryetari i Mamushës është përballur me premtimet e tij të dhëna para se të votohej për kryetar Komune, kurse i njëjti ka dhënë llogari për premtimet e mbajtura dhe ato të parealizuara deri më sot.