Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, Foto: KALLXO.com

Punësimet familjare në Zubin Potok- Izmir Zeqiri shkarkoi vajzën e tij nga pozita dhe e emëroi diku tjetër

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në debatin “Jeta në Komunë” u ballafaqua edhe me punësimet familjare në komunë dhe performancën e drejtorëve të emëruar nga ai.

“Unë më së voni e kam zgjedhë kabinetin e kryetarit, për shkaqe sepse unë thirrjet edhe gjatë fushatës edhe për një kohë të gjatë kam bërë thirrje publike sepse për mua si kabinet kishte qenë më mirë ta kem kabinetin 80 përqind prej akterëve e profesionistëve serb kishte me qenë shumë më mirë për mua sepse kisha vështërësi. Kam kërkuar edhe nga subjektet tjera dhe kanë hezituar”- tha ai.

“Unë vajzën nuk e kam punësu e kanë punësu komisioni. Tani punon si zyrtare në arkivë. Ka qenë drejtoreshë e kam shkarku. Ajo e ka kry punën stafi më i besueshëm”- tha Zeqiri.

E në këtë çështje, Zeqiri u pyet se si arriti që të shkarkoj nga pozita e drejtoreshës vajzën e tij e ende ka në punë Drejtoreshën e Shëndetësisë e cila është pronare e një barnatores ilegale që ishte cak i një bastisje në vitin 2021.

Madje Gordana Mihajloviq ka qenë edhe partnere e cila ka bashkëjetuar me Besim Zeqirin i njohur si “Kaça” person i dyshuar, i arratosur disa herë madje edhe i arrestuar për kontrabandë në veri të vendit si dhe i njohur si person i afërt me grupet e veriut.

“Qysh e shkarkove çikën, e Gordanën jo?”- e pyeti Jeta Xharra, kryetarin Zeqiri.

“E shkarkova cikën për shkak të presioneve, jo e ke marrë vajzën, jo se ke marrë vajzën”- ndërsa Xharra sërish e pyet se a ka pasur presion për shkarkim edhe për drejtorëshën e shëndetësisë.

“Kam edhe për Gordanën por ma lehtë mundem me marr vendim te një staf që e kam më të afërt se sa diku tjetër. Nuk e kam siguru unë e ka siguru komisioni vlerësues që nuk e njoh komisionin. Komisioni është emëruar nga komuna e Vushtrrisë, kemi kërku nga ta që ta udhëheqin komisionin”- shtoi ai.

Tutje i njëjti nisi të sqaroj se ka pasur konkurse të hapura e që në të njëjtat kanë aplikuar familjarë të tij.

“Konkurset kanë qenë të hapura, për gjithësecilin kanë vlejtë. Nëse thirremi në kushëri, na krejt Çabra jemi kushëri. Nuk është numër i caktuar që kanë me hy qekaq, për ato vende që janë hapë kanë hy ata që kanë konkuru. Edhe në këtë pozitë ku jam me siguri do të përpiqem të krijoj sa ma shumë vende pune për Çabrën…”- thotë Zeqiri.

Sipas tij nuk kanë persona të tjerë që mund të punësojnë.

“Po ne nuk kemi të tjerë. Nuk kemi të tjerë, kënd me shti dikënd që vjen prej Prishtinës. Sa i përket ne që jemi si komunitet në Çabër, jemi 3 mëhallë prej tre vllaznive kado që sillesh janë kushërillak”- shton tutje kryetari Zeqiri.

Zyra Kombëtare e Auditorit në gjetjet në komunën e Zubin Potokut ka konstatuar se në këtë komunë nuk është evidentuar vijueshmëria në punë e punëtorëve.

 “Ka thënë auditori në vitin e kaluar, janë marrë masa dhe do të merren masa në këtsi raste. Së shpejti do të vendoset edhe evidentimi i ardhjes në punë dhe dalja nga puna në formë elektronike, jemi duke punuar në këto drejtime”- thotë ai.

Sipas Zeqirit, në rast se edhe familajrë të tjerë të tij do të aplikojnë nëpër konkurse komunale, komisionet do të vendosin nëse plotësohen kriteret për ta apo jo.

“Mos te marrim atë që e paske kusherinllëkut sepse krejt Çabra janë kushëri të lutëm. Vajzën e atë tjetrën. E treta herë ka konkuru edhe qe i ka ardh rendi. Nëse ka hapësira dhe konkurron (çika e vëllaut) nëse e vlerëson komisioni unë veç vendosi. Unë komisionin që e ka vlerësu nuk e njoh asnjë, jam i interesuar të ketë hapësira të punës. Natyrisht janë komisionet që e kryejnë punën e tyre pa asnjë ndikim”- përfundoi Zeqiri.

KALLXO.com pati raportuar edhe në të kaluarën për punësimet familjarë në dy komuna në veri të vendit.

Më 01.08.2024, KALLXO.com raportoi për emërimin e vajzës së Izmir Zeqirit, Dhurata Zeqiri në pozitën e Drejtoreshës së Kulturës dhe Sportit në Zubin Potok.

“Nuk kam asnjë familjar timin në pozitë, në fillim e kam pasë çikën edhe e kam shkarku. Vitin e kalum, e kam shkarku e kom pasë të emërume drejtoreshë për Sport dhe Kulturë. Arsyeja e shkarkimit nuk ka qenë që ka kandidu dikush, mirëpo që kjo pyetje e juaja ka qenë edhe atëherë. Kam pa përmes agjensionit që kjo është shkelje dhe në momentin që e kam pa, unë e kam shkarku meniher”- kishte thënë në atë kohë Zeqiri.

Izmir Zeqiri u zgjodh si Kryetar i Zubin Potokut në prill të vitit 2023, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të vendit pas dorëheqjeve të kryetarëve të kaluar.

Zgjedhjet që u mbajtën të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe u mbyllën me vota në numër të vogël e që kryesisht votuesit ishin shqiptar me ç ‘rast, në krye të këtyre komunave u zgjodhën kryetarë shqiptar.

Por nuk përfundoi gjithçka me zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Betimin si kryetar kandidatët shqiptar e kryen nëpër objekte të tjera e jo në Komuna për shkak të protestave që realizonin qytetarët serb që kundërshtonin kryetarët e rinj.

Izmir Zeqiri është njëri nga kryetarët të cilit iu pamundësua për muaj me radhë të kryente funksionin e tij të kryetarit nga objekti i komunës së Zubin Potokut.

Madje ai mbeti jashtë komunës edhe me datë 26.05.2023 pasi që i ishte ndaluar hyrja brenda objektit nga disa qytetarë që kishin dalë në protestë.

Para komunës, për javë me radhë u mblodhën qytetarë të shumtë të cilët nuk lejonin asesi hyrjen e kryetarit brenda komunës sepse siç thonin ata nuk pranonin që komunitetin serb ta përfaqësonte një kryetar shqiptar.

Më 21.04.2024 në katër komunat me shumicë serbe u mbajt edhe një votim për të shkarkuar kryetarët shqiptar nga pozitat udhëheqëse.

Kësaj iniciative i kishte hapur rrugë një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e që përcaktonte që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Në ditën e zgjedhjeve, kryetarët nuk morën votat e mjaftueshme për tu larguar nga pozitat e tyre.